AKTUALITET, 24 Nëntor 2022, 13:29

Apeli i GJKKO cakton masë të re sigurie për Alqi Bllakon

Apeli i GJKKO cakton masë të re sigurie për Alqi Bllakon

Apeli i GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK, për të caktuar një masë të dytë “arresti me burg” për Alqi Bllakon.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar masë të dytë sigurie ndaj Alqi Bllakos, për inceneratorin e Elbasanit. SPAK i është drejtuar gjykatës me kërkesë për një masë siguri ndaj Bllakos, 2 javë më parë. Kjo kërkesë por u refuzua nga GJKKO.

Hetimet e SPAK për inceneratorin e Elbasanit kanë rënduar pozitat për Alqi Bllakon. Përveç akuzës së ‘shpërdorimit të detyrë’, kryer në bashkëpunim, Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij edhe akuzën e ‘korrupsionit’. Pas sekuestrimit të kompjuterit të ish-deputetit janë gjendur prova që e implikojnë atë në korrupsion të zyrtarëve të lartë.

Sipas SPAK, Alqi Bllako ka shkëmbyer e-maile nga adresa e tij private me administratorin e kompanisë “Alb tek energy”.

Personi në fjalë është Klodian Zoto. Bllako e ka informuar këtë të fundit mbi procedurën e dhënies me koncension të Inceneratorit të Elbasanit.

Ai i përcillte Zotos, e-mailet e zyrtarëve të ministrisë së mjedisit mbi procedurat që duhet të ndiqte për të fituar të drejtën e ndërtimit të Inceneratorit të Elbasanit. Referuar hetimeve të kryera këto kontakte janë mbajtur në kohën që Bllako ushtronte detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.

Prokuroria ka dyshime se ish-deputetit të ketë paracaktuar garën duke shpallur fituese kompaninë që përfaqësohej nga Zoto.