AKTUALITET, 1 Shkurt 2024, 23:02

Andi Bushati: Faktet për Veliajn, njëqind herë më të rënda se sa për Ahmetajn! SPAK me dy standarde

Andi Bushati: Faktet për Veliajn, njëqind herë më të

Andi Bushati, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, tha se faktet për Erion Veliajn në aferën e inceneratorit të Tiranës janë njëqind herë më të rënda se faktet për Ahmetajn, por SPAK ka vepruar me standard të dyfishtë, duke akuzuar Ahmetajn, ndërkohë që Veliajt nuk i ndodh asgjë. 

"Faktet për Erion Veliajn, njëqindfish më të rënda se sa për Ahmetajn. Ai është i akuzuar dhe në arrati, ky Veliaj, numri dy i PS dhe në krye ta Bashkisë. Hajde më thuaj se SPAK po kërkon të vërtetën dhe po bën drejtësi...

Nëse Ahmetaj nuk do ishte arratisur, do të ishte si Lefter Koka dhe Alqi Bllako, do të kishte mundësi të thoshte edhe këto pak gjëra që po thotë sot? Ky SPAK me këtë BKH, pse nuk kanë bërë një të penduar? Të thotë, do të shpëtosh por na trego skemën. Sepse SPAK heton për të varrosur çështjen. Vetëm Ahmetaj, që i shpëtoi kthetrave të SPAK, po na ngre ca pyetje. Kemi ngritur një mekanizmë represiv bashkë me SPAK dhe BKH, amerikane dhe evropian po të doni, që duan ta varrosin të vërtetën.

Unë kam pyetur mbi dhjetë vetë që kanë lidhje me biznesin e ndërtimit. Të gjithë në kor të thonë, nëse nuk çoje inertet në Sharrë, kishe një ushtri të madhe bashibozukësh, të policisë bashkiake që të ndiqnin për të çuar inertet te inceneratori. Hapje gropë për pallat, duhet të çoje dherat. Kur të duheshin dhera, duhet të shkoje atje ti merrje sërish.

Pra Policia Bashkiake, ka bërë vetëm një punë, përveçse kap plaka që shesin presh, kjo është një provë që e gjithë makineria e Bashkisë, e urdhëruar nga Erion Veliaj, ka qenë e angazhuar që lekët të shkonin në Sharrë dhe të përfundonin te parajsat fiskale", tha Bushati. 


Ola Xama: Dhjetë pikat ku implikohet Veliaj në aferën e inceneratorëve 

Gazetarja Ola Xama renditi dhjetë pikat, të cilat tregojnë implikimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, në aferën e inceneratorit të Tiranës. 

"Një prej pikave është sjellja e Veliajt si pronari faktik i inceneratorit të Tiranës, ku kryebashkiaku dërgon emaile që të përjashtohet nga tarifa e depozitimit të dherave kompania që po ndërton kullën “Eye of Tirana” dhe merret me mbetjet pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

Meqenëse pyete se cilat janë implikimet e Veliajt, kam shkurt 10 pika. Veliaj publikisht thotë Tirana është më e pastër dhe mbron publikisht inceneratorin e Tiranës, njësoj siç e ka mbrojtur edhe Ahmetaj para ca kohëve, kur në fakt atje nuk ka incenerator, dhe Tirana nuk është më e pastër, Tirana po shkon sërish sot në emergjencë mjedisore dhe janë paguar 73 milionë euro vetëm për inceneratorin e Tiranës, para publike, pa llogaritur ato që kanë paguar ndërtuesit dhe bashkia s’ka marrë asnjë masë qoftë për ta penalizuar kontaktorin.

Nga dokumentet që kanë dalë në media dhe denoncimet e partive politike që kanë qenë aktive te çështja e inceneratorëve, thonë shkresat ku Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka dërguar Bashkisë së Tiranës, që të lutem sill përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës te njësia e monitorimit të projektit, kjo njësi është përgjegjëse se si ecën kontrata, bëhet inceneratori ose jo dhe Bashkia e Tiranës ka mosvepruar duke mos i dërguar. Pjesa tjetër, pse u ra dakord për incenerim kur nevoja për incenerim nuk është fare. Pse përgjegjës janë Taulant Tushe me Namik Simixhiun?! Kanë shprehur vullnetin e tyre ata në komision apo vullnetin e Bashkisë së Tiranës që ka vendimmarrjen te koka lartë. Pse u mor përsipër financimi nga Veliaj, ku s’i kishte paratë?!

Pse u mor përsipër financimi për të gjitha bashkitë e qarkut të Tiranës kur ai nuk e ka kompetencën? Pse u anashkalua miratimi i fondeve nga Këshilli Bashkiak? Po ashtu në dosje del që kompania ligjore e cila këshillonte Klodian Zoton për marrjen e kontratës së inceneratorit të Tiranës ishte kompania ‘Tashko Pustina’, ku punon, në mos punonte, bashkëshortja e Veliajt. Janë gjetur edhe email-e se si Taulant Tushe ndihmon Klodian Zoton dhe bisedon me të mbi skemën e financimit.

Këto emaile nuk i shohim te vendimi i masës së sigurisë, e cila mund të ishte një provë rënduese para gjykatës për z.Tushe. Ajo që tha një ditë më parë ish-zv.kryeministri, sjellja e Erion Veliajt si pronar faktik i inceneratorit të Tiranës, ku dërgon emaile që të përjashtohet nga tarifa e depozitimit të dherave kompania që po ndërton kullën “Eye of Tirana” dhe mbetjet pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Këto ishin ato 10 pikat që unë kam nxjerrë për implikimin”, tha Xama në MCN TV. 

"SPAK-u më shumë se hetim të procedurës duhet të ndjekë paranë, jo te pllakat, te milionat e eurove. Te këta të kompanive fiktive kush ka firmosur që të derdhet Cash-i, merr atë administratorin, nuk e pashë këtë pyetje te dosja. Kjo nuk është mbrojtje, është kod mafioz, që o të gjithë bashkë, ose nuk bëhem kokë turku”, shtoi ajo duke iu referuar deklaratës së djeshme të Arben Ahmetajt.