AKTUALITET, 1 Shkurt 2024, 21:24

Sejamini: Akuzat ndaj Ahmetajt janë shumë të lehta, është skandaloze që ai i ka ikur drejtësisë

Sejamini: Akuzat ndaj Ahmetajt janë shumë të lehta,

Analisti Neritan Sejamini, duke komentuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, mundësinë që ish-zëvendëskryeministri të ketë marrë azil politik në një vend të BE-së u shpreh se ky nuk është problemi për të cilin duhet të shqetësohen shqiptarët, por për faktin se është skandaloze që ai i ka ikur drejtësisë.

“Akuzat e prokurorisë ndaj Ahmetajt janë shumë të lehta. Ai nuk po akuzohet për inceneratorët, por për një hetim pasuror dhe një privatizim. Shqiptarët kanë marrë azil në Amerikë dhe në Evropë duke sajuar historira, për arsye politike, ka patur homoseksualë që kanë kërkuar azil për diskriminim seksual se po na vret babai dhe nëna. Kanë patur disa që kanë thënë se po na vrasin për gjakmarrje. Pra shqiptarët janë specializuar për të marrë strehim politik.

Përderisa nuk është para drejtësisë Ahmetaj do të sajojë një histori që u sulmua politikisht. Thelbësore për ne është që zv.kryeministri, një figurë e lartë i ka ikur drejtësisë. Ky është problemi i PS-së, i qeverisë dhe i Shqipërisë. Se çfarë do të bëjë z. Ahmetaj, do marrë apo s’do marrë azil, do të jetojë mirë apo jo, nuk është çështje publike. Çështja është se është skandaloze që ai i ka ikur drejtësisë”-tha Sejamini.