TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha fjalën drejtuar simpatizantëve të mbledhur poshtë banesës së tij, e nisi me atentatin ndaj ish-presidentin të SHBA, Donald Trump.
Ai tha se ajo që ndodhi në Pensilvani është një akt terrorist jo vetëm ndaj Trump, por ndaj çdo njeriu të lirë, në çdo vend të lirë si dhe bëri një paralele me grushtin ndaj tij në 6 dhjetor 2022 nga një 32-vjeçar, ndërsa opozita marshonte në bulevard dhe në Tiranë mbahej samiti i vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
"Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen e pakufishme dhe nderimin më të madh për ju, misionarë të vërtetë të shpresës, dinjitetit, kauzës së drejtë të shqiptarëve.
Ajo që ndodhi mbrëmë në Butler të Pensilvanisë është një akt terrorist, është një atentat jo vetëm ndaj Presidentit Donald Trump, por ndaj çdo njeriu të lirë, në çdo vend të lirë.
Në këtë kontekst, çdo njeri që beson tek liria dhe vota e lirë e ka ndjerë veten mbrëmë një me presidentin Donald Trump, sikundër do ta ndjenim një me çdo kandidat presidencial, kryeministër apo president të vendeve të lira, nëse do të tentohej të vritej, siç u tentua në mënyrën më të urryer ndaj presidentit Trump në fushatë elektorale.
Ajo çka ndodhi mbrëmë në Butler, Pensilvani të SHBA, në vendin udhëheqës të sigurisë së vendve të lira, në një kohë ballafaqimesh globale, një ditë pas samitit të NATO-s dhe vetëm dy ditë para konventës republikane në të cilën presidenti Donald Trump do të kurorozëhet si kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Në një mënyrë apo si një tjetër, përbën një atentat jo vetëm ndaj sigurisë së SHBA, por edhe ndaj vendeve dhe njerëzve të lirë.
Si një politikan i cili pak kohë më parë provoi një atentat, jo me plumba por me hekura të organizuar nga Edi Rama, Taulant Balla, Ardi Veliu, me agjentin e policisë kriminale ‘leva’ vetëm e vetëm se Edi Rama donte të kremtonte samitin e liderëve europian në Tiranë, duke i mbyllur gojën opozitës së mallkuar, liderit të saj.
Natyrisht pasi kishte dështuar me të gjitha mjetet e tjera, ndërmorri një akt in extremis.
Pra e ndjej pak më shumë se të tjerët, aktin e urryer terrorist që u ndërmorr mbrëmë për vrasjen e presidentit Donald Trump në aktivitetin elektoral në Pensilvani.
Në këtë rast, unë dua të them dy fjalë se mbjellja e urrejtjes ndaj opozitës dhe vendosja e saj në persekutim, proceset politike të pafundme, janë virusi i akteve terroriste.
Janë shpërthimi, apo organizimi i akteve me të cilat synohet të mposhtet vullneti i qytetarëve, të mposhtet vota e qytetarëve dhe të vendoset me metoda të tjera, mesjetare antidemokratike.
Në këtë kontekst, unë kam besim se hetimi do të nxjerrë të gjithë përgjegjësitë e këtij atentati terrorist që ka tronditur botën, në Pensilvani"-tha Berisha.