TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bilanc i rëndë pas derbit të Gjermanisë jugperëndimore mes SV Waldhof Mannheim dhe FC Kaiserslautern, i vlefshëm për Kupën e Gjermanisë. Të paktën 35 efektivë policie u plagosën, ndërsa rreth 85 persona të tjerë kërkuan ndihmë mjekësore. Tetë prej tyre u dërguan në spital, por sipas policisë, dëmtimet e trajtuara ishin të lehta.
Rreth 23.500 spektatorë, mes tyre afro 3.500 tifozë miq, kishin mbushur “Carl-Benz-Stadion” në Mannheim. Atmosfera ishte e tensionuar që në minutat e para, ndërsa gjatë ndeshjes u ndezën vazhdimisht mjete piroteknike.
Pas 90 minutash pa gola, situata u përshkallëzua. Pas një përplasjeje mes lojtarëve, tifozët e Kaiserslautern hodhën mjete piroteknike drejt sektorëve të tifozëve vendas. Në përgjigje, disa tifozë të Mannheimit hynë me forcë në fushë, duke detyruar policinë të ndërhynte, edhe me efektivë të hipur në kuaj.
Gjatë ndërhyrjes u plagosën lehtë 33 efektivë të Policisë Federale Gjermane dhe dy policë nga Baden-Württemberg. Në stadium ishin angazhuar rreth 1.400 forca sigurie, përfshirë edhe efektivë nga Rheinland-Pfalz dhe Bayern.
Për disa minuta u rrezikua edhe ndërprerja e ndeshjes, ndërsa fillimi i kohës shtesë u shty. Pas rifillimit, situata u qetësua, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për të shuar një zjarr të ndezur në sektorin e tifozëve miq.
Policia ka nisur hetime për fyerje, plagosje, dëmtim prone, prishje të rëndë të rendit publik, sulm ndaj punonjësve të policisë dhe shkelje të ligjit për lëndët shpërthyese. Pavarësisht përmasave të trazirave, drejtori i Policisë së Mannheimit, Michael Reichert, e cilësoi ndërhyrjen të suksesshme, duke thënë se përgatitja dhe bashkëpunimi mes institucioneve kishin funksionuar.
Përplasja mes klubeve vijoi edhe jashtë fushës
Pas ndeshjes pati edhe akuza të ndërsjella. Drejtori sportiv i Mannheimit, Mathias Schober, fajësoi tifozët e Kaiserslauternit për përshkallëzimin, duke thënë se flakadanët u hodhën drejt tribunës kryesore të vendasve.
Schober kritikoi gjithashtu lojtarin e Kaiserslauternit, Marlon Ritter, për mënyrën se si reagoi pas një përplasjeje. Ritter iu përgjigj duke deklaruar se këto kritika nuk kishin rëndësi për të dhe se ajo që kishte rëndësi ishte fitorja e ekipit të tij.
Armiqësia mes dy grupeve të tifozëve daton që prej fillimit të viteve ’80 dhe përplasja e fundit e riktheu edhe një herë rivalitetin e ashpër mes tyre.
Ndeshja ishte ndërprerë përkohësisht edhe në fillim, pasi tifozët miq ndezën mjete piroteknike. Më pas, tifozët vendas hodhën sende në drejtim të portierit të Kaiserslauternit, Julian Krahl, ndërsa edhe në sektorin vendas u ndezën flakadanë.
Në fund, pas 120 minutash lojë, Kaiserslautern siguroi kualifikimin duke fituar 0-1, falë golit të Ibrahim Kanate në minutën e 120-të.
??? Südwestderby: Absolute chaos! Waldhof Mannheim and Kaiserslautern ultras decided to storm the pitch—pyro flares went off, smoke filled the air, and mounted riot police had to rush the field to restore order! ? pic.twitter.com/bMIpWnP1ad
— Ultras Clips (@ultras_clips) August 21, 2026