BALLKAN, 21 September 2026, 16:42

Vritet me thikë 15-vjeçari në Gjermani, në kërkim shqiptari nga Kosova

Një 15-vjeçar është vrarë me thikë në Gjermani, ndërsa policia ka shpallur në kërkim një 22-vjeçar shqiptar nga Kosova dhe një 23 vjeçar ne nënshtetësi greke.

Krimi ndodhi pas një feste gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës në Marsberg-Essentho, në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë. Viktima, një 15-vjeçar me shtetësi gjermane nga Dortmundi, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa një 18-vjeçar me shtetësi rumune mbeti i plagosur rëndë nga goditjet me thikë dhe ndodhet i shtruar në spital.

Autoritetet gjermane kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e dy të dyshuarve. Në kërkime është angazhuar edhe një helikopter policie, ndërsa kontrollet janë shtrirë në zonat e Marsbergut dhe Olsbergut.

Sipas hetimeve paraprake, sulmit i ka paraprirë një konflikt, por motivi dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Prokuroria ka bërë të ditur se, për momentin, nuk do të publikojë përshkrimin e të dyshuarve, por nuk përjashton mundësinë që kjo të ndodhë nëse kërkimet nuk japin rezultat.