TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Egzon Bytyçi, 26-vjeçari i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij shtatzënë, Jetlira Foniqi, ka ndërruar jetë mbrëmjen e së enjtes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lajmi është konfirmuar për Klan Kosovën nga drejtori i Mjekimit në QKUK, Shaqir Uka. Bytyçi ndodhej prej disa ditësh në gjendje të rëndë, pasi pas vrasjes së bashkëshortes dyshohet se kishte qëlluar edhe veten në kokë. “Egzon Bytyçi ka vdekur në orët e mbrëmjes së sotme pasi nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve”, deklaroi Uka.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 gushtit në fshatin Kërvasari të Malishevës. Rasti u raportua në Polici rreth orës 23:20, ndërsa brenda dhomës së gjumit u gjetën të plagosur me armë zjarri çifti i ri.
Sipas të dhënave të raportuara pas ngjarjes, Bytyçi dyshohet se qëlloi me një plumb në kokë bashkëshorten e tij, Jetlira Foniqi, dhe më pas qëlloi veten po në kokë. Babai i 26-vjeçarit raportoi rastin në Polici, ndërsa në vendngjarje hetuesit sekuestruan një armë.
Jetlira u transportua me urgjencë drejt QKUK-së, por nuk arriti t'u mbijetonte plagëve. 25-vjeçarja ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, vetëm pak javë larg lindjes së fëmijës. Ajo ndërroi jetë pas mbërritjes në Emergjencë.
Ndërkohë, Bytyçi mbeti në gjendje kritike. QKUK njoftonte edhe më 25 gusht se 26-vjeçari vazhdonte të merrte trajtim në Qendrën Emergjente dhe gjendja e tij nuk kishte ndryshuar. Mbrëmjen e 27 gushtit, ai ndërroi jetë si pasojë e plagëve. Nga hetimet dhe informacionet e para të raportuara në mediat e Kosovës, xhelozia është një prej pistave të ngritura për motivin e krimit. Po ashtu, ishte raportuar për konflikte të shfaqura kohët e fundit mes çiftit, për të cilat familjarët e Jetlirës kishin deklaruar se nuk kishin qenë në dijeni.
Në media u raportua gjithashtu se familjarë të Bytyçit kishin folur për probleme të mëparshme të shëndetit mendor gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Policia kishte sqaruar se këto pretendime nuk ishin verifikuar, ndaj ato nuk përbëjnë një konstatim mjekësor apo një shkak të provuar të ngjarjes.