TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një dokument i emërtuar “Leptiri”, i cili sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës përshkruan një plan të shërbimit sekret serb për komprometimin dhe rekrutimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përbën një nga provat e përfshira në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh dhe shantazh.
Sipas aktakuzës, dokumenti është gjetur në telefonin e Shehollit, së bashku me materiale të tjera të klasifikuara si “top secret”. Prokuroria pretendon se dokumenti ishte hartuar në vitin 2001 nga strukturat e Sigurimit Shtetëror të Serbisë, RDB, dhe përshkruante një plan operativ që synonte komprometimin dhe më pas rekrutimin e Kurtit, në kohën kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë.
Në dosje thuhet se dokumenti përmend një burim operativ me nofkën “Leptiri”, i cili do të përdorej për sigurimin e materialeve komprometuese ndaj Kurtit. Sipas Prokurorisë, qëllimi ishte krijimi i presionit ndaj tij për ta detyruar të bashkëpunonte me RDB-në.
Dokumenti u gjet në telefonin e Shehollit
Prokuroria pretendon se analiza e komunikimeve të nxjerra nga telefoni i Shehollit tregon se ai ua kishte përcjellë dokumentin persona të ndryshëm dhe kishte kërkuar që ai të përkthehej nga serbishtja në shqip.
Sipas aktakuzës, këto komunikime dhe materiale përbëjnë pjesë të provave që synojnë të dëshmojnë lidhjet e Shehollit me persona dhe struktura të lidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura.
Gjatë marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, Sheholli ka deklaruar se dokumentin “Leptiri” ia kishte dërguar në telefon Bojan Dimiq.
Ai ka deklaruar gjithashtu se dokumentin ia kishte përcjellë Milazim Gashit, të cilin e ka përshkruar si mik të tij në SHISH-in e Shqipërisë, si dhe Blerim Canajt dhe një personi tjetër të quajtur Bashkim Pushkolli.
Çfarë pretendohet se përmban dokumenti?
Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, dokumenti përshkruan Kurtin si një person “mjaft të tërhequr dhe skajshmërisht të mbyllur”, ndërsa përmban edhe pretendime personale për të, përfshirë pretendime lidhur me orientimin e tij seksual.
Në dokument thuhet se këto të dhëna dyshohet se ishin siguruar përmes personave përgjegjës në Burgun e Quprijes dhe burimeve operative me nofkat “Leptir”, “Robi” dhe “Metar”.
Sipas të njëjtave raportime, burimi operativ “Leptir” pretendonte se kishte krijuar marrëdhënie të afërta me Kurtin dhe se përmes këtyre kontakteve mund të siguroheshin materiale komprometuese.
Qëllimi i pretenduar ishte përdorimi i këtyre materialeve për të ushtruar presion ndaj Kurtit dhe për ta detyruar atë të bashkëpunonte me shërbimin sekret serb.
Dokumenti përmban gjithashtu pretendime se Kurti i konsideronte si serbët, ashtu edhe shqiptarët, “patriarkalë dhe të prapambetur”, si dhe se fliste për rrezikimin e të drejtave të njeriut dhe të homoseksualëve.
Po sipas përmbajtjes së raportuar, dokumenti përshkruan edhe qëndrimet kritike që Kurti dyshohet se mbante ndaj drejtuesve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin.
Pretendimi për largimin nga Kosova
Në një pjesë tjetër të dokumentit, sipas raportimeve të mediave kosovare, pretendohet se Kurti nuk e shihte të ardhmen e tij në Kosovë pas përfundimit të dënimit me burg.
Sipas këtij pretendimi, ai planifikonte të udhëtonte drejt Norvegjisë, ku synonte të siguronte leje qëndrimi të përhershme.
Megjithatë, të gjitha këto janë pretendime të përfshira në dokumentin dhe në materialet e përmendura në aktakuzë dhe nuk përbëjnë fakte të provuara me vendim gjyqësor.
Në këtë fazë, dokumenti “Leptiri” është paraqitur nga Prokuroria Speciale si një prej materialeve që mbështesin akuzat ndaj Fatmir Shehollit për lidhje dhe veprimtari të dyshuara në funksion të strukturave të shërbimit sekret serb.