TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka çuar për gjykim dosjen e Ardian Çapjas dhe grupit të tij për vrasjen e babë e bir në Elbasan, Gentian dhe Nezir Beqirit.
Të përfshirë në këtë dosje janë dhe të pandehurit e tjerë, Klajdi Dokoli, Etjen Cani dhe Jorgo Leku. Sipas News24, gjithashtu bëhet me dije se gjykata ndau dosjen për dy të pandehurit e tjerë, Florenc Çapja dhe Ervis Bardhi për shkak se janë në mungesë. Kujtojmë se ata janë arrestuar, njëri në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetri në Greqi.
Ndër të tjera, ata akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal si dhe armëmbajtje pa leje. Ardian Çapja u arrestua në muajin mars të këtij viti. Policia gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan një automatik kallashnikov, 60 fishekë dhe një bajonetë metalike që i mbante pa leje.
SI NDODHI VRASJA
Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari, Gentian Beqiri, u ekzekutua në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër”, të Elbasanit. Dëshmitar i ngjarjes së rëndë, ka qenë babai i tij, Nezir Beqiri, i cili ndërroi jetë pak minuta pas të birit. Fillimisht u dyshua se Nezir Beqiri kishte pësuar infarkt pas ngjarjes, por ekspertiza mjekoligjore përcaktoi se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që ka marrë në trup. Ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri, duke i shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen. Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-ën, Gentian Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Për disa kohë 40-vjeçari, Gentian Beqiri, ishte në “Arrest shtëpie” për këtë vrasje. Ai vuante nga një dëmtim në shtyllën kurrizore, për shkak të një tentative arratisjeje nga qelitë e paraburgimit. Vrasjet janë kryer në gjakftohtësi dhe dy efektivët rojë nuk e kanë kuptuar që ekzekutorët kanë kryer krimin. Ata e kanë marrë njoftimin vetëm pasi ka ardhur ambulanca. Për vrasjen e babë e bir, Policia e Elbasanit pati arrestuar në atë kohë Florenc Çapjan dhe A.J.. Por disa ditë më pas, Gjykata e Elbasanit ka liruar nga burgu njërin prej të akuzuarve për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqiri. Në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë për dy të akuzuarit, trupi gjykues ka lënë sërish në “Arrest me burg” të dyshuarin A.J., ndërsa Florenc Çapja u vendos që të gjykohej në gjendje të lirë deri në përfundim të procesit. Në seancën e mëparshme gjykata i kishte lënë 60 ditë kohë Prokurorisë dhe Policisë për të faktuar akuzën e vrasjes ndaj të arrestuarve Florenc Çapja dhe A.J., që akuzohen për ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur paraditen e 15 gushtit 2012, ndërsa avokatët mbrojtës kishin paraqitur prova se ditën e ngjarjes klientët e tyre nuk ndodheshin në qytetin e Elbasanit, madje Çapja nuk ka qenë në Shqipëri.