AKTUALITET, 12 August 2026, 13:15

"Vjeshtë e nxehtë politike", Berisha: Do të përdorim çdo mjet për largimin e Ramës! Të hapur për diskutime për 'Territorialen', duam hartën më të mirë

Sali Berisha njofton se vjeshta do të sjellë “temperaturat më të larta politike.” Kreu i Partisë Demokratike njoftoi gjatë konferencës për shtyp se do të ketë një angazhim të fortë për largimin e Ramës duke përdorur çdo mjet.

Ai shtoi se në qytete ka protesta të opozitës që janë të organizuara, por jo masive. Sipas Berishës, s’ka më shpresa për rivalin e tij që e quan “kufomë politike.”

“Vjeshta do të jetë vjeshta e temperaturave më të larta politike. Opozita do të jetë e tëra në misionin e saj, largimin sa më shpejt të Edi Ramës, qeverinë kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita do të përdorë të gjitha mjetet kundër kësaj qeverie dhe rrokullisjen e saj nuk ka forcë në botë që ta ndalë. Në një seri qytetesh, opozita është në protestë, por këto janë sporadike, të organizuara, por nuk janë masive sa ç’duhet të jenë. Me Edi Ramën, çdo ditë, çdo javë që kalon, Shqipëria shkon thellë e më thellë në krizën e saj. Ndaj edhe thashë, poll-et, janë të tijat. Rama nuk ka më shpresë. Një grindavec i droguar që merret, shahet e zihet gjithë ditën me protestuesit për komentet e tyre të drejta, etiketat që i vënë. Trollsa, sorra, korba, përfytyron veten si kufomë politike. Dihet që korbat e sorrat ushqehen me kufoma, unë them politike, jo fizike”, u shpreh Berisha.

Ndërsa kundërshtoi propozimin e PS për hartën e re territoriale që synon uljen e numrit të bashkive përmes shkrirjes, Berisha akuzoi Ramën se ka bërë hipercentralizim të pushtetit. Në kontrast, propozimin e PD për 100 njësi e sheh si decentralizim.

“Edi Rama nuk pyet për asgjë. Ai njeh vetëm interesin e karriges së tij dhe pushtetit të pakufishëm që po shkon drejt fundit. Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat që ekzistojnë për hartë më të mirë të mundshme të ndarjes së njësive territoriale. Harta jonë paraqet 111 njësi, por ajo është e hapur për diskutim. Që nga diskutimet me komunitetet, aty ku ekzistojnë kushtet më minimale të krijohen dhe njësi të tjera. Ky është qëndrimi ynë.

Decentralizimi është një parim themelor i një shteti që pretendon të jetë demokratik.  Edi Rama ka bërë hiper-përqendrimin dhe hiper-centralizimin e pushtetit në Shqipëri, në disa aspekte, ju nuk e njihni, por absolutisht më shumë se diktatori Enver Hoxha.  Në diktaturë, ishin komitetet ekzekutive të rrethit, por kishte dhe lokalitete, të cilat ishin si komunat, me këshilla dhe me kompetenca, në të cilën qytetarët merrnin lejet, merrnin vërtetimet, kishin gjendjen civile, pra kishin një seri shërbimesh. Dhe ajo ishte diktatura më moniste. Ishte më keq se Koreja e Veriut sot, po këtë e kishte. Ky i hoqi, ky fshiu, ky është vetëm vetë.  Ndaj dhe çdo ditë që qëndron në pushtet është një ditë e humbur, e dhimbshme për shqiptarët”, tha Berisha.
I pyetur edhe për debatin e ditëve të fundit mes Shqipërisë e Serbisë për deklaratën e kësaj të fundit për devijimin e rrjedhës së Ibrit në Kosovë, Berisha tha se Rama “s’mund të lajë me asgjë shërbimet antishqiptare ndaj Beogradit.” Ndërsa për deklaratat e presidentit serb, tha se janë destabilizuese dhe tregojnë nivel “mitologjik” racizmi e barbarie.

“Deklaratat e Vuçiç janë destabilizuese, por u dënuan nga BE dhe SHBA se të përdorësh etjen si armë do të thotë se racizmi yt dhe barbaria jote shkon në nivele mitologjike. Duke harruar se jetohet në një realitet ku ka ligje ndërkombëtare, të cilat diktojnë qëndrimin ndaj ujërave, liqeneve, lumenjve.  Ujërat dhe lumenjtë në territorin e Kosovës nuk mund t'i prekë askush. Liqenet në Kosovë janë ndërtuar nga ish-Jugosllavia e Titos dhe janë brenda territorit administrativ të Kosovës. Po të jetë puna për të përdorur armë të tilla, atëherë ai që imagjinon këto është i qartë kundër paqes në rajon, ndaj dhe erdhi reagimi i djeshëm si i Bashkimit Evropian, ashtu dhe i Departamentit të Shtetit.  Me asgjë nuk mund të lajë Edi Rama shërbimet antishqiptare që i ka bërë Beogradit.  Jo me etje dhe shterim uji, por duke iu shkatërruar vendet e punës, duke iu vrarë shpresën dhe votën e lirë, Edi Rama ka kryer një genocid të butë, dy herë më të madh se genocidi i kryer nga platforma e Çubriloviçit në Kosovë.  Tani, a mundet Edi Rama të purifikohet të themi, nga aktet e panumërta të tradhtisë kombëtare? Jo, me asgjë. Ai ka kryer aktet më të larta të tradhtisë kombëtare ndaj shqiptarëve në Shqipëri, ndaj shqiptarëve në Kosovë, ndaj kombit shqiptar”, tha Berisha.