BOTA, 12 October 2026, 11:12

Lufta/ Zelensky i drejtohet Trump-it: Shpallët armëpushimin energjetik, por Rusia goditi Ukrainën! Putin nuk e lexon “Truth Social”

Lufta/ Zelensky i drejtohet Trump-it: Shpallët armëpushimin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Rusisë për të garantuar respektimin e një armëpushimi energjetik, pasi Moska vijoi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.

Duke folur të hënën në Forumin e Sigurisë në Poloni, Zelensky komentoi njoftimin e presidentit amerikan Donald Trump për armëpushimin energjetik, duke theksuar se Rusia duhet të tregojë me veprime konkrete se është e gatshme ta respektojë atë.

“Na duhet presion amerikan ndaj Rusisë, dhe jo heqje e sanksioneve, në mënyrë që të arrijmë një armëpushim energjetik”, deklaroi presidenti ukrainas.

Ai bëri të ditur se menjëherë pas një postimi të Trumpit në platformën Truth Social, Rusia ndërmori një sulm të synuar ndaj një centrali elektrik në Kharkiv.

“Është e qartë se Putini nuk e lexon Truth Social”, u shpreh me ironi Zelensky.

Kreu i shtetit ukrainas paralajmëroi gjithashtu se Ukraina do të përgjigjet nëse Rusia nuk pranon një armëpushim energjetik gjatë dimrit.

Zelensky: Ukraina është gati të respektojë armëpushimin

Zelensky theksoi se Ukraina është e gatshme të ndalojë sulmet ndaj objekteve energjetike ruse, nëse Moska ndërpret sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.

“Nëse Rusia dëshiron që ne të ndalojmë sulmet ndaj rafinerive të saj, ajo duhet të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës sonë energjetike. Ukraina është e gatshme të respektojë një armëpushim energjetik, nëse edhe Rusia vepron në të njëjtën mënyrë”, deklaroi ai.

Sipas Zelenskyt, gjatë mbrëmjes së së dielës, rafineritë ruse nuk ishin në flakë, ndërsa ai kërkoi që Uashingtoni të sigurojë se Moska do t’i përmbahet marrëveshjes.

“Amerikanët duhet të garantojnë që rusët ta respektojnë armëpushimin energjetik. Ne jemi gati të nënshkruajmë garanci për këtë armëpushim”, tha presidenti ukrainas.

Ai përsëriti se Kievi e mbështet idenë e një armëpushimi të tillë, por kërkoi që edhe Rusia të dëshmojë se është e angazhuar për zbatimin e tij.

“Rusia shkeli armëpushimin energjetik të njoftuar nga presidenti Trump. Presim detaje nga bisedimet mes amerikanëve dhe rusëve. Ky armëpushim energjetik mund të funksionojë”, u shpreh Zelensky.

Zelensky: U pakësuan bot-et pas sulmeve ndaj qendrave të të dhënave të Yandex

Gjatë deklaratave të tij, presidenti ukrainas foli edhe për një ulje të numrit të llogarive automatike, të njohura si bot-e, në internet, pas sulmeve ukrainase ndaj qendrave të të dhënave të kompanisë ruse Yandex.

Sipas Zelenskyt, pas këtyre sulmeve u vu re një rënie e përhapjes së urrejtjes, përçarjes dhe provokimeve në rrjetet sociale.

Ai pretendoi se pakësimi i aktivitetit të bot-eve tregon se nga vinin këto llogari, pa dhënë detaje të mëtejshme për shifrat apo mënyrën e verifikimit të këtij pretendimi.