AKTUALITET, 10 September 2026, 11:38

VIDEO/ Këlliçi poston pamje nga Konventa me Trump, ndjekësit e pyesin për Berishën: Po Saliun ku e ke, na e trego?

Më pak se dy muaj para zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara dhe vetëm disa javë para nisjes së votimit të hershëm, Partia Republikane amerikane ka mbledhur strukturat e saj në Teksas, në një aktivitet të rëndësishëm politik që po zhvillohet në Dallas.

Konventa, e organizuar nga presidenti Donald Trump, nisi të mërkurën dhe do të vijojë edhe ditën e sotme, në sallën madhështore të “American Airlines Center”, ku janë mbledhur figura të rëndësishme të Partisë Republikane, në një kohë kur GOP synon të ruajë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit.

Pjesë e kësaj konvente, siç është bërë e ditur edhe më herët, është edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili ndodhet në Teksas së bashku me delegacionin e tij.

Nga dita e parë e aktivitetit ka publikuar pamje në rrjetet sociale ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi. Në videon e publikuar prej tij, Këlliçi shfaqet me dy gishtat lart, ndërsa në podium po fliste presidenti amerikan Donald Trump.

Por ajo që ka tërhequr vëmendjen është mungesa, të paktën deri tani, e ndonjë fotografie apo videoje të publikuar nga vetë Sali Berisha gjatë ditës së parë të konventës.

Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga ndjekësit e Këlliçit. Në komentet e videos, disa prej tyre kanë ngritur pikërisht pyetjen se ku ndodhet kreu i Partisë Demokratike.

 “Po Sali Berisha ku është? Nuk po e shohim askund në atë sallë, na e trego ku është”, është një nga pyetjet që bie në sy në komentet ostimit.