BALLKAN, 18 August 2026, 12:43

"Një turp i madh"/ Vuçiç letër kreut të NATO-s: Turqia dëshiron ta hapë urën e Ibrit, do t’i lutem Rutte-s të mos e bëjë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar një letër në drejtim të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte për t’i kërkuar që ura mbi lumin Ibër të mos hapet për qarkullim.

Për këtë plan ai e ka akuzuar Komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutas.

“Këtë po e bën turku, komandanti i KFOR-it. Sot do t’i shkruaj Mark Rutes dhe shpresoj që t’i përgjigjet letrës sime dhe ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet.

Për mua, ky është një turp i madh dhe një zhgënjim. Kjo na tregon se nervozizmi ka hyrë në radhët e tyre, nuk dinë se si ta detyrojnë Serbinë ta pranojë Kosovën e pavarur. 

Ne do të shohim se si t’i ndihmojmë popullit tonë. Ngadalë, gjërat po ndryshojnë në botë, por jo aq shpejt sa kemi pritur. Çdo ditë një popull keqtrajtohet, dëbohet nga vatrat e tij. Do të shohim se cila do të jetë përgjigjja e tyre”, ka thënë Vuçiç në Beograd.

Një ditë më parë nga Bashkimi Evropian konfirmuar se janë plotësuar kushtet për hapjen për qarkullim të makinave të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.