AKTUALITET, 24 August 2026, 17:52

Ukraina feston Ditën e Pavarësisë, Shqipëria konfirmon mbështetjen, Ministria e Jashtme: Do të vijojmë të qëndrojmë në krahun tuaj

Shqipëria ka rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen për Ukrainën në Ditën e Pavarësisë së saj.

Përmes një mesazhi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vlerësoi guximin dhe qëndrueshmërinë e popullit ukrainas në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, duke theksuar se kjo është një mbrojtje edhe e parimeve mbi të cilat ndërtohet një Evropë e lirë dhe paqësore. Ministria thekson se Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në krah të Ukrainës, në mbështetje të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, vendosjes së përgjegjësisë dhe të drejtës së Ukrainës për t'u bërë pjesë e familjes evropiane.

“Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Shqipëria qëndron në krah të popullit ukrainas, ndërsa ai mbron vetë kuptimin e pavarësisë: të drejtën e një kombi të lirë për të përcaktuar të ardhmen e tij. Guximi dhe qëndrueshmëria e Ukrainës janë një mbrojtje jo vetëm e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial, por edhe e parimeve mbi të cilat ndërtohet një Evropë e lirë dhe paqësore. Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë me vendosmëri në krah të Ukrainës, në mbështetje të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, të vendosjes së përgjegjësisë dhe të vendit që i takon Ukrainës në familjen tonë evropiane. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ukrainë!” thuhet në deklaratë