SPORT, 12 Prill 2020, 18:45

Tevez konfirmon fiksimin e Ronaldos: Me siguri e shohin të gjitha gratë e botës

Tevez konfirmon fiksimin e Ronaldos: Me siguri e shohin të gjitha

Karlos Tevez dhe Kristiano Ronaldo, më shumë se një dekadë më parë krijuan një nga dyshet më të frikshme të sulmit në Angli dhe në Europë, duke ndihmuar Mançester Junajtid të drejtuar nga Aleks Ferguson që të dominonte në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve. Argjentinasi njeh shumë mirë portugezin nga ajo eksperincë dhe ka ndarë pak nga jeta përkrah tij në një intervistë të dhënë së fundmi për “Marca”.

“Më kujtohet ajo që ndodhte me të, që është me siguri ajo që çdo grua në botë sheh të ai. Kalon të gjithë kohën në palestër. Ka një fiksim të vërtetë për të”, shpjegoi Tevez, i cili pranoi se në vitet te Mançester Junajtid, kishte filluar një betejë e mirëfilltë mes të dyve, aq sa bënin garë edhe kush shkonte i pari në stërvitje.

“Nëse stërviteshim në orën 9 të mëngjesit dhe mundohesha ta kaloja duke arritur në 8, ai ishte aty. Mbërrija në orën shtatë e gjysmë dhe ai ishte aty. Thashë me vete, a është e mundur të mbërrish në stërvitje para këtij tipi? Një ditë vendosa që të shkoja në orën 6 të mëngjesit dhe e gjeta përsëri aty. Ishte gjysmë i përgjumur, por ishte aty”, tregoi Tevez.