SPORT, 27 Dhjetor 2021, 17:26

Teuta në merkato, durrsakët kërkojnë të rikthejnë në Superiore sulmuesin dhe mbrojtësin

Teuta në merkato, durrsakët kërkojnë të rikthejnë

Tashmë që Superiorja ka marrë pushimet për t’u rikthyer në fushë më datë 15 janar, drejtuesit e klubeve kanë nisur punën për të bërë lëvizjet në merkaton e janarit. Një nga ato skuadra që po tregohet aktive në këtë aspekt është Teuta, e cila nuk i ka respektuar pritshmëritë e fillim-sezonit, teksa aktualisht kampionët në fuqi të kampionatit mbajnë vendin e gjashtë të klasifikimit me 15 pikë diferencë nga kryesuesit e Tiranës.

Në këtë formë, te bregdetarët ka pasur ndryshime në organikë duke qenë se është konfirmuar largimi i Sherif Kallakut dhe mbrojtësit Adolf Selmani, ndërsa po punohet për merkaton në hyrje. Së fundmi, Teuta ka nisur kontaktet për një rikthim të mundshëm të Rubin Hebajt (pjesë e durrsakëve në sezonin 2021-2022).

Sulmuesi ishte pjesë e Shkëndijes së Tetovës, teksa vetëm ditën e djeshme palët kanë ndarë rrugët dhe në këtë formë 23-vjeçari mund ta konsiderojë një rikthim në Superiore. Nga ana tjetër, Teutës i duhen përforcime në repartin e mbrojtjes dhe për këtë pozicion po lakohet emri i Jurgen Goxhajt.

Eksperienca e tij e fundit në Superiore ka qenë me Bylisin dhe prej dy vitesh, ka qenë në Azerbaxhan aty ku fillimisht ka luajtur me Gabalën ndërsa së fundmi ishte pjesë e Sabail. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse bisedimet me sulmuesin dhe mbrojtësin do të konkretizohen, teksa bëhet fjalë për dy lojtarë që kampionatin shqiptar e njohin mirë dhe që mund ta ndihmonin shumë Teutën për pjesën e mbetur.