SPORT, 27 Mars 2023, 23:06

Shqipëria nis kualifikueset e Euro 2024 me disfatë në Varshavë, Polonia merr 3 pikë me një gol

Shqipëria nis kualifikueset e Euro 2024 me disfatë në

Nuk ishte një nisje e mirë e kualifikueseve të Euro 2024, Shqipëria mundet 1-0 në Varshavë nga Polonia, në një sfidë mjaft emocionuese.

Sinjalet e para në këtë takim i lëshon Sokol Cikalleshi. Sulmuesi del mirë nga krahët dhe përpiqet që të dërgojë një top në zonë, por asnjë nga shokët e skuadrës nuk e mbërriti dot.

Ekipi i Santos u kundërpërgjigj pas pak minutash me Zalewskin, por goditja e tij u ndal nga Strakosha.

Në mesin e pjesës së parë, sërish Cikalleshi protagonist me një gjuajtje nga distanca, por Sczezny i tha jo, me një super-pritje.

Një top i kthyer pas një gjuajte të Kaminskit përfundon në gol nga Swiderski, i cili nga  pranë portës u tregua i saktë.

Pjesa e dytë nis me shumë dëshirë për Shqipërinë, Uzuni dhe Asllani “kërcënuan” kuadratin e skuadrës vendase, por vetëm kaq.

Lewandowski shfaqet në minutën e 63-të, pati rastin për të dyfishuar shifrat, Mihaj largoi topin në vijën fatale, duke na mbajtur në lojë.

Trajneri i përfaqësueses tonë, Silvinjo në debutimin e tij preferoi të aktivizonte Asanin dhe Mehmetin, lojtarë të cilët luajnë për herë të parë me kombëtaren, efekti i tyre nuk ishte i menjëhershëm, edhe pse shpalosën cilësi në momente të caktuara.

Deri në fund, Polonia mbrojti rezultatin, duke marrë kështu 3 pikët e para në kualifikuese dhe duke u renditur në vendin e dytë. Shqipëria renditet në vendin e fundit me 0 pikë.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Çekia kryesuese (4 pikë) nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 me Moldavinë (2 pikë, vendi i 3-të).

Pas ndeshjes për mediat foli lojtari i kuqezinjve, Sokol Cikalleshi.

“Normalisht që të gjithë e keni parë një kombëtare ndryshe, me shpirt gare dhe një kombëtare e denjë për të përfaqësuar gjithë shqiptarët. Na mposhtën me gjysëm goli. Rastet i patëm. Përballë kishim një skuadër me lojtarë të fortë dhe portier të mirë. Kjo Kombëtare ka hapur një faqe të re që besoj se do t’i bëjë krenarë shqiptarët. Këtë Kombëtare kërkojnë të gjithë.

E ardhmja? Normalisht ishte një nga ndeshjet më të vështira. Polonia është krye e grupit. U mposhtëm me rezultat minimal. Me ato raste mund të bënim pak më shumë. Nuk ka rëndësi kush do të dalë në fushë në të ardhmen. E rëndësishme të kemi këtë shpirt gare”, tha ai.