SPORT, 30 Nëntor 2021, 22:09

Sa fiton një futbollist? Përgjigjen e jep Toni Kros duke zbuluar financat e Filip Lahm: Imagjinoni që nuk ka fituar sa unë

Sa fiton një futbollist? Përgjigjen e jep Toni Kros duke zbuluar

Toni Kros është kthyer në një nga personazhet më interesantë që nga fillimi i pandemisë. Kur nisi izolimi, futbollist gjerman vendosi që të bënte një emision të tijin në rrjetet sociale për të argëtuar tifozët, duke folur përkrah vëllait të tij, Feliks. Një dialog që u bë ndër më të ndjekurit sa herë që publikohet bashkëbisedimi i ri, pasi nuk mungojnë komentet epike apo edhe kuriozitete për jetën e futbollistëve.

Por këtë radhë, duke folur për një emision tjetër online, “BaywatchBerlin”, ai i është përgjigjur edhe një pyetje që bën shumëkush: Sa para fiton në të vërtetë një futbollist profesionist në nivelet më të larta?

”Sa para mund të mbledhë në karrierë një yll i futbollit, një Kampion Bote, gjatë karrierës së tij? Sa para ka në bankë një lojtar si Filip Lahm?”, ishin pyetjet që bëri prezantuesi Klas Hojfer-Umlauf në emisionin e tij, me përgjigjen që erdhi pikërisht nga Kros në lidhje direkte.

“Nuk është se kam qenë llogaritari i tij në vitet e fundit por të shohim… Nëse nuk ka shpenzuar shumë… unë them se mund  të ketë në bankë mes 70 dhe 100 milionë eurove. Edhe pse imagjinoni që ai nuk ka fituar aq shumë sa unë!”, ishte përgjigja e Kros duke zbuluar atë që është praktikisht rroga e një ylli futbolli.