SPORT, 9 Gusht 2024, 23:37

Imane Khelif shkruan historinë, fiton medaljen e artë në boks pas fushatës së dezinformimit ndaj saj

Imane Khelif shkruan historinë, fiton medaljen e artë në boks pas

Boksierja algjeriane, Imane Khelif, fitoi medaljen e artë olimpike të premten në mbrëmje, duke mundur kinezen Yang Liu. 

Rrugëtimi i Khelif në Lojërat Olimpike të Parisit, ka qenë i mbushur me momente dramatike, pas një fushate dezinformimi ndaj saj, ku u hodhën dyshime për gjininë. 

E gjitha nisi pasi boksierja italiane, Angela Carini, e cila u mund nga Khelif pas 46 sekondash, shpërtheu në lot duke deklaruar se ndeshja ishte e padrejtë. Fill pas kësaj shpërtheu një fushatë dezinformimi dhe bullizmi ndaj algjerianes, me pretendimin fals se është një burrë, e shtyrë nga fakti që ishte përjashtuar dikur nga garimi prej Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit, një organizatë tashmë e diskretituar, e cila pretendon se Khelif nuk ka kaluar disa teste që lidhen me gjininë. 

Megjithatë, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC) tha se ato teste kishin mangësi të mëdha dhe ka përjashtuar Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit (IBA) për shkak të çështjeve të qeverisjes, pretendimeve për korrupsion dhe lidhjeve me Rusinë.

Sipas IOC, Khelif ka lindur grua është identifikuar dhe ka garuar gjithmonë si e tillë dhe nuk ka asnjë fakt për të sugjeruar të kundërtën.

25-vjeçarja Khelif, ka deklaruar se fitimi i medaljes së artë do të ishte "përgjigjja më e mirë" ndaj kritikëve të saj.

Ajo ka patur mbështetje të madhe jo vetëm nga vendi i saj, Algjeria, po në mbarë botë. Shumë figura publike janë solidarizuar me Khelif pas shënjestrimit që iu bë në Paris.