BOTA, 29 September 2026, 17:46

“Mos u ngatërroni me ne!”/ Netanyahu paralajmëron: Ka indikacione se armiqtë do të përpiqen të na sulmojnë përpara zgjedhjeve

“Mos u ngatërroni me ne!”/ Netanyahu paralajmëron: Ka

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli ka indikacione se armiqtë e vendit mund të tentojnë një sulm përpara zgjedhjeve të 27 tetorit.

Gjatë një vizite në bazën ajrore Tel Nof, Netanyahu tha se autoritetet izraelite janë të përgatitura për çdo skenar dhe paralajmëroi kundërshtarët e vendit se çdo sulm do të marrë përgjigje.

“Kemi indikacione se, përpara zgjedhjeve, armiqtë tanë do të përpiqen të na sulmojnë”, deklaroi Netanyahu në një video të publikuar në rrjetet sociale. 

Nga baza e Forcave Ajrore izraelite, kryeministri shtoi: “Mos u ngatërroni me ne, as tani dhe as kurrë. Krahu ynë i gjatë do t’ju arrijë kudo dhe kurdoherë”.

Netanyahu pretendoi gjithashtu se më shumë se 100 persona që ai i cilësoi si “terroristë” janë vrarë në Gaza gjatë javëve të fundit, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.

Deklaratat e fundit vijnë vetëm disa javë pasi Netanyahu, gjatë një mbledhjeje të kabinetit për Rosh Hashanah, paralajmëroi Iranin kundër çdo sulmi ndaj Izraelit.

Në atë rast, kryeministri izraelit tha se nëse Irani do të ndërmerrte një sulm, përgjigjja e Izraelit do të ishte e fortë. Ai pretendoi gjithashtu se së bashku me Shtetet e Bashkuara Izraeli kishte goditur kërcënimet që, sipas tij, vinin nga programet iraniane të armëve dhe nga aleatët e Teheranit në rajon.

Netanyahu deklaroi gjithashtu se Izraeli mbetet i vendosur të përfundojë atë që ai e përshkroi si “misionin” për të ndryshuar situatën në Lindjen e Mesme. 

Në mesazhin e tij të fundit nga baza Tel Nof, ai përsëriti paralajmërimin ndaj kundërshtarëve të Izraelit, duke theksuar se forcat izraelite janë të gatshme të reagojnë ndaj çdo tentative për sulm.