AKTUALITET, 27 Shtator 2021, 08:30

Sot viti i ri shkollor, Edi Rama dhe Lindita Nikolla urojnë nxënësit: Rrugëtim të mbarë dhe të suksesshëm

Sot viti i ri shkollor, Edi Rama dhe Lindita Nikolla urojnë

Kryeministri Edi Rama mëngjesin e kësaj të hëne e ka nisur me një urim për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar që fillojnë shkollën.

Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se uron çdo nxënës për një vit sa më të mbarë dhe të suksesshëm shkollor për një të ardhme më të mirë.

“MIRËMËNGJES

dhe me zilën e parë që bie për disa nga shkollat e reja të rindërtuara pas tërmetit, uroj përzemërsisht çdo nxënës që nis sot vitin e ri shkollor, shumë suksese e mbarësi në këtë rrugëtim të bukur dijeje për të ardhmen

#ShqipëriaeArdhmjaJonë ” shkruan Rama.

Ndërkohë edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar sot fillimin e vitit të ri shkollor. Me anë të një mesazhi, ajo thotë se do të bëjnë më të mirën që në sfidë me vështirësitë e pandemisë nxënësit të marrin cilësinë e merituar të dijes.

Postimi i plotë:

Të dashur nxënëse e nxënës, Të dashur mësuese e mësues, Të dashur prindër.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ju uroj të gjithë fëmijëve të Shqipërisë një vit të suksesshëm shkollor!

Të gjithë jemi me mendje e zemër tek ju dhe do të bëjmë më të mirën që edhe në sfidë me vështirësitë e pandemisë të merrni cilësinë e merituar të dijes në çdo klasë e shkollë të vendit.

Jam besimplotë që mësuesit do të jenë krah jush dhe prindërve tuaj me përpjekjen e çdo dite për t’u ngritur mbi vështirësitë e kohës.

Beteja për dijen është më e bukura e jetës.

Suksese dhe një vit të mbarë!