AKTUALITET, 20 Nëntor 2017, 10:38

Si e humbi bota Islame, lirinë e zgjedhjes

 

    Nga Kim Ghattas, Foreign Policy / Përgatiti: TPZ.AL  

Kur këshilltari për sigurinë kombëtare, H.R. McMaster, donte të bindte Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se Afganistani nuk ishte tërësisht i pashpresë, ai nxori një fotografi bardhë-e-zi të vitit 1972, ku shfaqeshin vajza me minifunde në rrugët e Kabulit.

Ideja ishte që të tregohej se si ky vend dikur përqafonte idealet Perëndimore dhe se si kjo gjë mund të ndodhë sërish me ndihmën e Amerikanëve. Marifeti i McMaster funksionoi: Trumpi e largoi skepticizmin lidhur me luftën në atë vend dhe vendosi të rrisë numrin e trupave.

Kjo tregoi gjithashtu se sa i limituar është botëkuptimi Amerikan për vendet që ka dashur të ri-krijojë në imazhin e vet. Fotografia në fjalë tregon elitën e Kabulit – një elitë që edhe atëhere nuk përfaqësonte popullsinë e gjerë Afgane. Jo të gjitha vajzat mund të vishnin funde përpara se Talebanët të vendosnin burkën si veshje e detyruar.

Gjithësesi, ajo fotografi kap dicka që ka humbur jo vetëm në Afganistan por në shumicën e botës muslimane në dekadat e fundit: liria e zgjedhjes.

Jo cdo grua Afgane vishte minifund në vitet 1970-të, por çdo grua e kishte mundësinë e zgjedhjes. Vajzat mund të vishnin minifunde pa frikën e ndonjë sulmi me acid apo rrahje me kamzhik.

Fotografi të tjera nga ajo peridhë tregojnë mundësitë që gratë Afgane kishin për t’u arsimuar dhe zhvilluar profesionalisht. Por gjithmonë rrobat kanë marrë më shumë vemëndje. Fotografi të Arabisë Saudite të viteve 1960-të dhe 1970-të, janë bërë qëndra të vëmendjes ditët e fundit pasi tregojnë burra dhe gra me kostume plazhi pranë një pishine dhe në një rezorti të famshëm turistik. Shumë prej personave në foto duken si të huaj – disa janë pjesëtarë të stafit të linjave ajrore teksa pushojnë në Jeddah. Por Sauditët i përkrahnin këto plazhe, edhe pse disa tundnin kokën me mosbesim, qytetarët ishin të lirë t’i vizitonin këto plazhe pa patur frikën e dhunës dhe përndjekjes.

Përpos fundeve dhe plazheve, vitet 1960-të dhe 1970-të ishin një kohë debatesh intelektuale mbi rolin e fesë në shoqëri. Debatet mes të mjatëve, laikëve, kapitalistëve, marksistëve dhe Islamikëve bënë zhurmë të madhe në gjithë rajonin nga Egjipti në Pakistan. Militantët islamikë i quajnë ato dekada mendimi progresiv si dekadencë perëndimore – mbetje të së kaluarës kolonizatore. Por ndonëse disa gjëra ishin vërtet të huaja, shumë prej sjelljeve aty ishin gjithashtu indigjene. Një prej feministeve më të famshme Arabe të shekullit të 20-të ishte, Nazira Zain al-Dine, nga Libani. Ajo nuk kishte asnjë lidhje me lëvizjet feministe në botën perëndimore të asaj kohe.

Megjithatë me kalimin e viteve, hapësira për debat dhe liri të zgjedhjes është bërë gjithmonë e më e ngushtë. Pakistani shërben si një skenar paralajmërues se si legjitimohet intoleranca. Vendi nuk e humbet të kaluarën e shumëllojshme vetëm kur një grup si Talebanët merr pushtetin me dhunë. Një gërryerje e ngadaltë e normave progresive, një zhvendosje e ngadaltë e besimit është po aq shkatërruese.

Që prej vitit 1927, kur Britanikët kaluan ligjet mbi blasfeminë, dhe deri në vitin 1985, në Pakistan janë raportuar vetëm 10 raste blasfemie. Midis 1985 dhe 2011, kanë kaluar më shumë se 4000 raste. Më keq akoma, blasfemia e provuar ose jo, mund të dënohet me vdekje sot në Pakistan.

Në Janar të 2011, guverantori Salman Tasser u vra nga bodigardi i tij sepse mbajti anën e një vajze të re të krishterë e cila ishte dënuar për blasfemi. Vrasësi i tij u dënua me vdekje por megjithatë u cilësua hero nga dhjetra mijëra pjesëmarrës në funeralin e tij. Një xhami u ndërtua në Islamabad në emër të tij.

Vrasja e Tasset-it si dhe ajo e ministrit të parë të Krishterë Pakistanez Shahbaz Bhatti vetëm dy muaj më pas, e tronditën Farahnaz Ispahanin – një mikeshë e të dyve atyre. Ispahani, një ish-gazetare, ishte në atë kohë pjesëtare e parlamentit Pakistanez dhe shërbente në Komitetin e të Drejtave të Njeriut. Në parlament, Ispahani kishte akses në informacione sekrete dhe u trondit kur mësoi për dhunën e vazhdueshme ndaj minoriteteve – dhe fakti se asnjë prej kolegëve nuk donin të diskutonin për këto çështje.

Vrasja e dy shokëve të saj e shtyu atë të shkruante librin e titulluar “ Purifikimi i  tokës së puritanëve.” Libri i botuar vitin e shkuar i drejtohet vdekjes së ngadaltë të së drejtave të minoriteteve dhe pluralizmit në Pakistan dhe efektin e tyre në demokraci. Rezultati është një kronikë precize se si u zhvilluan ngjarjet atje. Ispahani, si një minoritet Shiit, u kujdes që mos të shprehë ndjenjat e saj në punën kërkimore të botuar. Ajo dhe bashkëshorti i saj, ish-ambasadori i Pakistanit në SHBA, Hussein Haqqani, kanë marrë kërcënime me vdekje për shkak të punës që bëjnë dhe jetojnë në mërgim në Washington.

Në librin e saj, Ispahani ndjek shpalljen e pavarësisë së Pakistanit. Themeluesi i vendit, Muhammed Ali Jinnah - një shiit shekullar - parashikoi një vend ku "je i lirë, je i lirë të shkosh në tempullin tënd, je i lirë të shkosh në xhami ose në ndonjë vend tjetër adhurimi". Por Ispahani shkruan se "deklarata e tij shpresëdhënëse për pluralizmin fetar" mbetet e paplotësuar.

Trendi për ta bërë Islamin një parim qendror të jetës në Pakistan filloi pak pas pavarësisë në vitin 1947, si rezultat i ndjenjave që muslimanët kishin ndaj hinduve dhe kolonialistëve britanik në Indi. Në vitin 1973, Islami u shpall si fe kombëtare në Pakistan. Në vitin 1974, nën regjimin e  Kryeministrintprogresiv Zulfiqar Bhutto, parlamenti shpalli Ahmadi-t si jo-muslimanë. Ahmadi-t janë një lëvizje myslimane që filloi në fund të shekullit të 19-të. Ata ndjekin mësimet e Kuranit dhe e konsiderojnë themeluesin e tyre si profet, duke tronditur myslimanët që besojnë se Muhamedi është profeti i fundit.

Bhutto e kishte të vështirë të ri-përkufizonte nacionalizmin pakistanez të shkëputur nga ideologjia islame. Ai ishte, shkruan Ispahani, i paaftë për të menaxhuar "aktin balancues delikat të zbatimit të ideve liberale dhe të qetësimit të ndjenjave islamike".

Nga mesi i viteve '80, shkrimet e urrejtjes ndaj shiitëve po përhapeshin. Diktatori ushtarak Muhammed Zia-ul-Haq i pronoi sulmet militante sunite ndaj shiitëve, duke hapur rrugën për një fushatë sistematike për të eliminuar mjekët shiitë, inxhinierët dhe mësuesit në Karaçi dhe gjetkë. Sot, shiitët dhe xhamitë e tyre janë ende objektiva të rregullta të sulmeve vdekjeprurëse: Që nga viti 2003, rreth 2,558 shiitë janë vrarë për pasojë. Ispahani identifikon katër faza të humbjes së të drejtave të minoriteteve dhe të rritjes së intolerancës. Faza e parë ishte "muslimanizimi" i shoqërisë, me transferimin e popullsisë jo-muslimane jashtë Pakistanit gjatë kohës së shpalljes së pavarësisë, e ndjekur kjo nga ngritja e një identiteti islamik pas humbjes së Pakistanit Lindor. Pastaj erdhi islamizimi i ligjeve nën Zia-ul-Haq në vitet 1980, dhe më në fund ngritja e dhunës militante të organizuar.

Edhe pse nuk kishte një transformim të papritur, brenda natës, Ispahani megjithatë identifikon sundimin e Zias si pikë pa kthim. Sundimtari ushtarak islamizoi ligjet e vendit, duke futur gjykatat e sheriatit dhe ligjt të reja islame të cilat parashikojnë dënime . Gjatë kohës së tij, ligjet për blasfeminë u forcuan, duke shtuar dënimet e përjetshme dhe dënimin me vdekje.

Asnjë aspekt i kulturës nuk u kursye nga lëvizja islamizuese, ndërsa kinematë u mbyllën nga Karaçi në Peshawar, artistët u nxorën nëntokë dhe planin mësimor të ri-menduar për të krijuar një "imazh të fortë të Pakistanit si shtet islamik që i mëson nxënësit të shohin vetëm myslimanët si qytetarë pakistanezë ".

Trashëgimia e Zia-s mbetet e ngulitur në sistem dhe në jetën e përditshme të njerëzve. Pakistanezët nën moshën 40 vjeç nuk dinë ndonjë mënyrë jetese tjetër, ndërsa gjeneratat e vjetra kujtojnë një të kaluar më të bukur - edhe pse ata përmendin disa prej të metave të së kaluarës. Por, megjithatë, intoleranca në rritje e Pakistanit ka dëbuar diversitetin: mes viteve 1947 dhe sot, minoritetet shkuan nga 25 përqind e popullsisë në 3 përqind. "Është për pluralizmin që mund të ndodhë vetëm kur ka vend për një shumëllojshmëri njerëzish", tha Ispahani. "Nuk mund të keni një shtet pluralist dhe demokratik kur besoni në pastërtinë e fesë tuaj".

Fotoja që McMaster i tregoi Trump-it është një kujtesë e mirë për atë që ishte dikur, por nuk ofron një strategji për të rivendosur pluralizmin që dikur ishte një pjesë e pranueshme e jetës në Pakistan apo në vende të tjera si Afganistani, Iraku apo Egjipti. Libri i Ispahanit shërben si një kujtesë se diçka me thellë se minifundet ka humbur në këto vende. Politikat kundërterroriste të Uashingtonit, të cilat ndihmojnë në frenimin e grupeve si talebanët, janë një fillim i mirë, por shpesh nuk arrijnë të shkojnë  drejt rivendosjes së normave bazë si respektimi i diversitetit. Kjo në fund të fundit do të varet nga përpjekjet e vetë popullsisë vendase.

  Nga Kim Ghattas, Foreign Policy / Përgatiti: TPZ.AL