AKTUALITET, 15 September 2026, 13:50

Vendimet e KLGJ/ Paulin Çera ngrihet në detyrë në Gjykatën e Posaçme, Juljan Haxhiu në Apel dhe Gentiana Xhelili në Administrative

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zhvilluar sot, më datë 15.09.2026, mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme dhe vendosi për ngritjen në detyrë e transferimin e disa magjistratëve, nga Gjykata e Posaçme, në Apelin e Përgjithshëm e në Administrative.

Konkretisht, Këshilli miratoi vendimin për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 259, datë 14.05.2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për kandidatin z. Paulin Çera.

Në vijim, u vendos edhe për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 104, datë 27.02.2025, për kandidatin z. Juljan Haxhiu.

Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit, për pozicionet e lira të shpallura me vendimet nr. 105, datë 27.02.2025 dhe nr. 256, datë 14.05.2025, për kandidaten znj. Gentiana Xhelili.

Qeveria e gjyqësorit, ka shqyrtuar edhe projektvendimin për transferimin e gjyqtares znj. Miranda Nakaj në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke miratuar transferimin.

Vendimet e tjera të marra sot në mbledhjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor:

- Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtares znj. Suela Lika, për periudhën 2021-2023”.

- Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit z. Kujtim Vraniçi, për periudhën 2020-2024.

- Këshilli vendosi për renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 266, datë 14.05.2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

- Gjithashtu, Këshilli vendosi për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjes gjyqësore të veçantë në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.

Këshilli vendosi për një ndryshim në listën e kandidatëve për magjistratë dhe gjyqtarëve udhëheqës të caktuar me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 432, datë 31.07.2026.

Pas caktimit me short të relatorit, Këshilli vendosi për një shtesë në vendimin nr. 280, datë 09.06.2026 “Për fillimin e procedurës së verifikimit të kandidatëve fitues në provimin e pranimit në Programin e Formimit Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për ndihmës ligjorë, viti akademik 2026-2027” të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Ndër të tjera, Këshilli vendosi mbi miratimin e njoftimit për shpalljen e vendeve të lira në pozicionin ndihmës ligjor, në njësitë e shërbimit ligjor, në gjykatat e apelit.

Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të datave 10.07.2026, 14.07.2026, 22.07.2026 dhe 24.07.2026.