AKTUALITET, 25 October 2026, 13:45

“Shqiponjat dhe RENEA do të shkrihen! Policët do të përgjigjen për krimet”, Berisha: Do t'i japim Padrinos atë që meriton

“Shqiponjat dhe RENEA do të shkrihen! Policët do të

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar shpërbërjen e strukturave policore “Shqiponjat” dhe RENEA, si dhe ndjekjen penale të efektivëve që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve gjatë revoltës studentore.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha deklaroi se opozita ka depozituar kallëzime me emra konkretë ndaj punonjësve të policisë dhe se identitetet e tyre do të bëhen publike. Ai akuzoi strukturat speciale për veprime të paligjshme gjatë protestave, duke paralajmëruar se efektivët do të mbajnë përgjegjësi individuale për shkeljet e pretenduara.

“I kemi paditur me emra, do t’i bëjmë publikë me emra, por edhe mbrëmë kam deklaruar dhe deklaroj se famëzezat, Shqiponjat dhe RENEA, një për një sipas veprave penale, jo vetëm që do të shkrihen, por do të shkojnë atje ku e meritojnë për krimet që kanë kryer. I garantoj. Do të shkojnë atje ku e meritojnë për krimet që kanë kryer!”, u shpreh Berisha.

Kreu demokrat reagoi gjithashtu ndaj paketës së re ligjore të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, e cila parashikon ashpërsimin e gjobave dhe masave ndaj pjesëmarrësve në protesta të dhunshme.

 

Berisha i cilësoi propozimet si masa diktatoriale dhe deklaroi se opozita nuk do t’i njohë ato. Ai theksoi se Partia Demokratike do të vijojë aksionin politik për largimin e Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Ne si qytetarë të mos njohim asnjë prej tyre, por të ngrihemi dhëmb për dhëmb kundër Edvin Kristaq xhelatit, padrinos së vendit, dhe t’i japim atë që meriton.

Edhe e deklaroj këtu që s’ka ligj as forcë në botë që do të mund të pengojë Partinë Demokratike për të përmbushur misionin e saj, largimin e tij, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira e të ndershme.

Kërkesa këto të fuqishme, të drejta, të revoltës studentore”, deklaroi Berisha.