BOTA, 10 October 2026, 13:35

BE-ja i kërkon Trumpit të heqë sanksionet ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale: Sulmet dhe kërcënimet janë të papranueshme

BE-ja i kërkon Trumpit të heqë sanksionet ndaj Gjykatës

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të tërheqin sanksionet e vendosura ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke paralajmëruar se presioni ndaj këtij institucioni rrezikon pavarësinë dhe funksionimin e tij.

Në një deklaratë në emër të BE-së, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, theksoi se Gjykata duhet të jetë në gjendje të përmbushë mandatin e saj në mënyrë të pavarur, pa presione apo ndërhyrje të jashtme.

Kallas deklaroi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë dhe efektivitetin e punës së GJNP-së.

“Sulmet ose kërcënimet kundër Gjykatës, zyrtarëve të saj, stafit dhe personave që bashkëpunojnë me të, përfshirë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ofruesit e shërbimeve, janë të papranueshme”, theksoi ajo.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së vlerësoi vendimin e Uashingtonit për të shtyrë hyrjen në fuqi të masave, duke e cilësuar këtë si një mundësi për dialog diplomatik dhe për arritjen e një zgjidhjeje.

Sipas Kallas, synimi duhet të jetë heqja sa më e shpejtë e sanksioneve dhe shmangia e masave të tjera që mund të cenojnë pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Ajo përshëndeti gjithashtu gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar shqetësimet e tyre me shtetet palë të Statutit të Romës, dokumentit themelues të GJNP-së.

Kallas nënvizoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Gjykatën, duke kontribuar në mbrojtjen e institucionit, stafit të tij dhe personave që bashkëpunojnë me të.