AKTUALITET, 10 Shtator 2019, 08:49

Shkarkimi i Metës/ Komisioni i Venecias zbarkon sot në Tiranë, axhenda e takimeve

Shkarkimi i Metës/ Komisioni i Venecias zbarkon sot në Tiranë,


Një delegacion i Komisionit të Venecias ditën e sotme do të vijë në Tiranë, ku do të zhvillojë disa takime me aktorët kryesor politik në vend.

Dje u zbardh dhe axhenda e takimeve të politikanëve shqiptarë me delegacionin e Komisionit të Venecias.

Me këtë delegacion, pritet të takohet kreu i grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, Kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës , Hajdari, Musai, Alimadhi si dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Kalendari i takimeve të ditës së sotme , e martë 10 shtator, me delegacionin e Komisionit të Venecias, është si më poshtë:

Ora 9:00-9:55: Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, z. Taulant Balla dhe deputetë anëtarë të Grupit. (Salla e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, kati II)

Ora 10:00 – 10:55: Kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës , znj. Rudina Hajdari, z. Nimet Musai, z. Adriatik Alimadhi dhe deputetë anëtarë të grupeve. (Salla e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, kati II)

Ora 11:00-11:55: Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi (Salla e pritjes në Kryesinë e Kuvendit).

Zhvillimet e fundit politike, kriza e thellë në vend si dhe reforma në drejtësi janë disa nga çështjet kryesore që pritet të diskutohen. Po ashtu temë kryesore e takimeve besohet që të jetë dhe nisma për shkarkimin e Ilir Metës.

Disa ditë më parë u mblodh Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. U miratua plani për hetimin e Metës. Nuk do të mungojnë dhe dëshmitë edhe ekspertët e Komisionit të Venecias, të cilët do të japin opinionin e tyre në lidhje me ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit. Po kështu është përgatitur edhe një listë me personat që do të thirren për të dëshmuar para Komisionit, e cila ende është sekrete.

Presidenti Ilir Meta vendosi të anulonte zgjedhjet e 30 qershorit, me motivacionin se gara ishte farsë dhe rrezikonte përplasjen civile në vend. Kjo solli kundërshtinë e mazhorancës, dhe vendimin që kryesocialisti Edi Rama iu shpalli të tijëve se PS do të shkarkojë Metën për shkelje të rëndë kushtetuese.

Nga ana tjetër, KQZ rrëzoi Metën duke i hapur rrugë PS në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.