TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që kërkon t’i jepet fund embargos ekonomike, tregtare dhe financiare të Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës, e cila është në fuqi prej 64 vitesh.
Rezoluta u miratua me 130 vota pro, 17 kundër dhe 25 abstenime. Mes vendeve që abstenuan ishte edhe Shqipëria, e përfaqësuar në OKB nga ambasadorja Suela Janinaj. Edhe disa vende perëndimore, përfshirë Gjermaninë dhe Italinë, abstenuan për herë të parë pas shumë vitesh.
Megjithatë, votimi në OKB ka kryesisht peshë politike, pasi vetëm Kongresi amerikan mund të vendosë për heqjen e embargos, e cila daton që nga periudha e Luftës së Ftohtë.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e përbërë nga 193 shtete anëtare, ka miratuar rezoluta kundër embargos çdo vit për më shumë se tri dekada, me përjashtim të vitit 2020, kur votimi nuk u zhvillua për shkak të pandemisë së COVID-19.
Pas votimit, i dërguari i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, u shpreh i kënaqur me ndryshimin e qëndrimit të disa vendeve.
“Jam i kënaqur që kaq shumë vende, përfshirë ekonomi të mëdha si Koreja, Gjermania dhe të tjera, e kanë ndryshuar tashmë qëndrimin e tyre”, u tha ai gazetarëve.
“Diplomacia kërkon kohë, por tani që numri i vendeve që kanë ndryshuar qëndrimin është trefishuar, presim që ky numër të vazhdojë të rritet”, shtoi Waltz.
Ndërkohë, tensionet mes përfaqësuesve amerikanë dhe kubanë në OKB u përshkallëzuan në prag të votimit. Javën e kaluar, diplomatët e të dy vendeve u përfshinë në përplasje verbale me tone të larta. Të martën, gjatë një seance në sallën e Asamblesë së Përgjithshme, situata u tensionua më tej, me të bërtitura dhe shtyrje mes përfaqësuesve.
