TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Këshilli i Ministrave ka miratuar aktin normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për “Tubimet”, duke parashikuar masa administrative deri në 500 mijë lekë për personat me identitet të fshehur që nuk i binden urdhrave të Policisë së Shtetit.
Akti normativ përcakton gjithashtu mundësinë e vendosjes së kufizimeve të përkohshme për tubimet në perimetrat përreth objekteve të caktuara, në rastet kur ekziston rrezik real, serioz dhe i afërt për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës.
Sipas parashikimeve, drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose të kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore. Kjo masë mund të zgjasë jo më shumë se 72 orë dhe duhet të mbështetet në fakte konkrete.
Vendimi duhet të përcaktojë saktësisht perimetrin, kohëzgjatjen dhe arsyet e kufizimit. Ai publikohet menjëherë në një mënyrë të aksesueshme dhe hyn në zbatim vetëm pas publikimit. Masa mund të rinovohet vetëm një herë, përmes një vendimi të ri të arsyetuar.
Çdo person i interesuar ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Gjykatën Administrative, e cila duhet të shprehet brenda 48 orëve. Ankimi nuk e pezullon zbatimin e vendimit, përveç rasteve kur gjykata vendos ndryshe.
Kufizimi nuk mund të shtrihet në të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore.
Gjithashtu, ai nuk zbatohet ndaj të miturve të shoqëruar nga prindi, kujdestari ligjor ose një i rritur përgjegjës, kur ata kalojnë nëpër perimetrin e përcaktuar për të shkuar ose për t'u kthyer nga shkolla, vendbanimi, institucioni shëndetësor, institucioni i përkujdesjes sociale apo një veprimtari edukative, kulturore ose sportive.
Ky parashikim nuk cenon kompetencën e drejtuesit të komisariatit të policisë për të ndaluar ose kufizuar një tubim të caktuar.
Cilat konsiderohen zona të mbrojtura?
Sipas aktit normativ, zona të mbrojtura konsiderohen stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet, si dhe perimetrat përreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore.
Në këtë kategori përfshihen edhe zona të tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak, të botuara dhe të shënuara në terren, kur në to janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.
Sipas parashikimeve të ligjit, punonjësi i Policisë së Shtetit mund t'i urdhërojë një personi të largohet nga një zonë e mbrojtur për një periudhë jo më të gjatë se 48 orë, kur sjellja e tij konkrete përbën kanosje, ngacmim të përsëritur ose dhunë ndaj personave, dëmtim të pronës, apo pengim me dhunë të aksesit dhe përdorimit të zonës.
Urdhri jepet me shkrim dhe duhet të përmbajë faktet konkrete dhe arsyet mbi të cilat mbështetet. Ai përcakton zonën nga e cila personi duhet të largohet dhe kohëzgjatjen e masës, si dhe i njoftohet personit, të cilit i dorëzohet një kopje.
Megjithatë, ky urdhër nuk zbatohet për vendbanimin, vendin e punës, institucionin arsimor, institucionin shëndetësor ku personi merr trajtim, si dhe zyrën e avokatit.
Akti përcakton gjithashtu se urdhri nuk mund të jepet për shkak të pjesëmarrjes në një tubim paqësor, për shkak të karakteristikave personale të individit, statusit social, kombësisë ose pamjes së tij, apo vetëm për shkak të precedentëve penalë.
Policia mund të kërkojë fshirjen e thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale
Ndryshimet e miratuara nga qeveria adresojnë edhe thirrjet për dhunë të shpërndara nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike ose komunikimeve telefonike gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve.
Kur përmes këtyre kanaleve publikohen ose shpërndahen mesazhe që përmbajnë thirrje për dhunë në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, pasi identifikon llogarinë, adresën elektronike dhe/ose numrin e telefonit përmes të cilit është kryer komunikimi, i dërgon mbajtësit të tyre një njoftim përmes të njëjtit kanal komunikimi.
Nëpërmjet këtij njoftimi, policia kërkon fshirjen e përmbajtjes dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla, duke e vënë personin në dijeni se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.
Policia e Shtetit i ofron gjithashtu personit mundësinë për të përfituar mbështetje psikologjike ose trajtime të tjera të specializuara, kur vlerësohet se ai ka nevojë për to.
Në rast se përmbajtja nuk fshihet ose veprimet përsëriten, Policia e Shtetit ndërmerr masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Regjistrimi audiovizual i paralajmërimeve dhe akteve të dhunës
Një tjetër parashikim i aktit normativ lidhet me regjistrimin audiovizual të veprimeve gjatë tubimeve.
Policia e Shtetit regjistron me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit, si dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës gjatë tubimit, sipas ligjit për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna dhe dëmtimet e pronës gjatë tubimeve në hapësirën publike.
Regjistrimet ruhen dhe përpunohen në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Gjobat administrative për shkeljet gjatë tubimeve
Akti normativ përcakton se shkeljet e ligjit për tubimet, kur nuk përbëjnë vepër penale, trajtohen si kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjoba.
Konkretisht, masat e parashikuara janë:
Sanksioni për fshehjen e identitetit nuk zbatohet kur mbulimi i fytyrës justifikohet nga një shkak i ligjshëm. Në këto raste përfshihen arsyet shëndetësore, fetare, si dhe ushtrimi i një veprimtarie profesionale, përfshirë gazetarinë dhe median, ofrimin e ndihmës mjekësore ose vëzhgimin e tubimit.
Gjobë 5 mijë lekë për çdo ditë bllokimi të rrugëve
Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, kur sjell si pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit dhe nuk përbën vepër penale, cilësohet si kundërvajtje administrative.
Për këtë shkelje parashikohet gjobë prej 5 mijë lekësh për çdo ditë bllokimi, për çdo person fizik që merr pjesë në bllokim, pavarësisht kohëzgjatjes së bllokimit gjatë asaj dite.
Gjobat vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me ligjin “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.