BOTA, 3 October 2026, 21:36

Rrëzimi i projektligjeve për strehimin/ Spanja “zhurmon” nga protestat, mijëra njerëz në rrugë

Rrëzimi i projektligjeve për strehimin/ Spanja “zhurmon”

Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Madridit dhe rreth 50 qyteteve të Spanjës, në shenjë proteste kundër rrëzimit të të ashtuquajturit “Ligji Maricarmen”, që përfshin dy projektligje të propozuara nga qeveria e Pedro Sánchez për emergjencën e strehimit.

Projektligjet u rrëzuan nga shumica e Kongresit të Deputetëve, duke nxitur protesta në disa qytete të vendit.

Në Valencia u shënuan momente tensioni pranë Palau de les Arts, pas një marshimi kundër spekulimit në tregun e pasurive të paluajtshme. Protesta u shoqërua me tingujt e çelësave dhe kapakëve të tenxhereve, ndërsa situata u tensionua kur disa demonstrues thyen kordonin e sigurisë dhe hynë në ndërtesë.

Brenda saj po zhvillohej një forum ku merrnin pjesë investitorë dhe profesionistë të sektorit të pasurive të paluajtshme. Përplasjet mes protestuesve dhe personave që ndodheshin në godinë sollën ndërhyrjen e forcave të policisë.

Forcat e Policisë Kombëtare përdorën gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë demonstruesit. Si pasojë e protestës, pesë persona u arrestuan dhe nëntë efektivë policie u plagosën.

Protesta më e madhe u zhvillua në Madrid. Sindikata e Qiramarrësve pretendoi se në demonstratë morën pjesë rreth 500 mijë persona, ndërsa Delegacioni i Qeverisë vlerësoi pjesëmarrjen në rreth 70 mijë.

“Nuk ka kthim pas”, deklaroi zëdhënësja e protestës, Valeria Racu, duke bërë të ditur se objektivi i lëvizjes është organizimi i një greve të përgjithshme.

Ndërkohë, protesta e planifikuar në Barcelonë u shty për shkak të parashikimit për reshje intensive. Moti i keq më pas shkaktoi probleme në qarkullimin e automjeteve në disa zona të qytetit.

Protestat vijnë në një kohë kur çështja e strehimit dhe rritja e kostove të banesave janë kthyer në një prej temave kryesore të debatit publik në Spanjë.