TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vendimi i vendeve të G7-s për të nxjerrë në treg rezerva të naftës dhe naftës diezel mund të sjellë vetëm një lehtësim afatshkurtër për drejtuesit e automjeteve, ndërsa problemi kryesor i furnizimit mbetet i pazgjidhur, tha një ekonomiste gjermane.
“Ky vendim mund të zbusë ndikimin për njëfarë kohe, por problemi themelor mbetet”, tha Samina Sultan, nga Instituti Gjerman për Ekonominë (IW).
Sipas saj, ndikimi te konsumatorët do të varet edhe nga sasia e diezelit që do të përfshihet në rezervat e nxjerra në treg, pasi deklarata e G7-s nuk përcaktonte një shifër të saktë për këtë.
Ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit kanë kufizuar eksportet e naftës bruto dhe kanë shkëputur disa rafineri të rëndësishme nga tregu global.
Vendet e G7-s ranë dje dakord të nxjerrin 100 milionë fuçi naftë bruto dhe diezel nga rezervat e emergjencës gjatë një periudhe katërmujore, në kushtet e rritjes së çmimeve të karburanteve.
Masa është pjesë e një nisme të koordinuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).
G7-ja deklaroi gjithashtu se do të shqyrtojë mundësinë e lirimit të sasive të tjera të dizelit.
Sultan theksoi se normalizimi i qëndrueshëm i çmimeve të energjisë do të kërkonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun normal.
Anijet cisternë kanë qenë sërish nën sulm në këtë zonë ditët e fundit, sipas Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO).
“Nëse në të njëjtën kohë shohim një përshkallëzim të mëtejshëm në Ngushticën e Hormuzit dhe asgjë nuk mund të kalojë, atëherë rezervat do të jenë vetëm një pikë në oqean”, tha ekonomistja.
Qeveria amerikane kishte kërkuar më herët nga Evropa që të nxirrte më shumë diezel në treg dhe kishte shqyrtuar gjithashtu mundësinë e kufizimit të eksporteve të dizelit.
Megjithatë, në deklaratën e G7-s thuhet shprehimisht se vendet anëtare do të shmangin vendosjen e kufizimeve të tilla.