TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Bardh Spahia
Vetëm Edi Rama mund të përfitojë nga fatkeqësitë në mënyrën më monstruoze të mundshme. Është e pabesueshme se si llogaria e parë dhe e vetme e tij nuk është kapërcimi i situatës për qytetarët, por llogaritë e veta politike kosto-përfitim. E mënyra më e mirë për të bërë si do, pa u penguar, është izolimi i njerëzve sa më gjatë. Izolimin që ati i tij shpirtëror e zbatoi për 46 vjet, Edi Rama po e bën përmes kartës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. E bëri pas tërmetit të 26 nëntorit. Deri më 31 mars kemi qenë në gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të tërmetit, miratuar nga paradhoma e Ramës, Parlamenti. Çfarë ndryshoi për njerëzit? Ende janë pa zgjidhje e nuk dihet se kur do ta kenë!
Nuk kanë sharlatanë në krye si Shqipëria, ku një njeri “qeveris” me urdhra verbalë, që e ka Parlamentin zgjatim të pushtetit të vet, që aktivizon institucionet me mesazhe “Facebook”-u, për të kryer gjobitje masive për shkelje karantine pa bazë ligjore, e më pas, jo vetëm nuk kërkon ndjesë për gafën, por tallet me qytetarët e vet, duke u shfaqur si “bamirësi”, që po me një fjalë goje mund të anulojë gjobat e shpallura njëlloj, me fjalë goje! Grumbullimi i çdo pushteti është lëvizja më tipike e Edi Ramës, prej ditës së parë në karrigen e Kryeministrit.
Për atë karrige po tregon se është gati të bëjë gjithçka, edhe të përfitojë në mënyrën më monstruoze nga fatkeqësitë natyrore. Po personalizon në mënyrë të skajshme pushtetin, duke na treguar modelin, që nuk haset në asnjë demokraci perëndimore: askush nuk ka të drejtën e vendimmarrjes përveç atij. Të tjerët, i pari Parlamenti, thjesht bindet. A ka më qesharake se pyetjet pa përgjigje mbi emrin e kreut të komitetit të ekspertëve?
Belbëzon Kryeministri dhe anëtarë të atij komiteti, se, në fakt, dihet që është vetëm Edi Rama gjithologu-epidemiolog që vendos e të tjerët vetëm binden. Ky është imazhi mjeran i profesionistëve nën pushtetin e një individi, që nuk pranon mendje të tjera, përveç së vetës, edhe pse pa dijen e duhur. Me imazhin e shpëtimtarit të rremë, Edi Rama po tenton si zakonisht të kapitalizojë përfitimet e të ndajë përgjegjësitë. Njëlloj si tërmeti i 26 nëntorit të kaluar, edhe fatkeqësia e virusit Covid ka “meritën” se nxori edhe më zbuluar, se Edi Rama ka mungesë të theksuar të koncepteve mbi shtetin.
Virusi korona nxori në pah individin shpirtvogël, bota e të cilit nis e mbaron te përfitimi personal e për këtë ushqeu vetë, personalisht, frikën e terrorin te qytetarët, edhe me gjoba e blinda në rrugë, teksa realizonte tinëz tenderë me çmime të shumëfishuara e me kompani pa pikë lidhje me produktet që u kërkoheshin.
Pa asnjë brerje ndërgjegje se po fuste duart në taksat e qytetarëve, për të cilët ka detyrimin kushtetues të kujdeset. Pa asnjë brerje ndërgjegje, për ata që mediat i raportonin me zë e figurë, se nuk arrinin të shtronin vaktin e radhës në tryezë, as ata që humbën vendet e punës, e të tjerë që i mashtroi me pagën e luftës. Pa asnjë brerje ndërgjegje as për biznesin e vogël e të mesëm, që u tund detyrimet ndaj shtetit, por nuk ka një plan të shpejtë për t’i ndihmuar, duke i lënë të zhyten thellë në pasojat që solli kjo epidemi.
Pa pikë turpi që çmimet e produkteve sot janë të verifikueshme në kohë reale, si me shumicë, ashtu edhe pakicë. Një shuplakë e vërtetë për institucionet e reja të drejtësisë, të cilat do shohim nëse do t’i kthejnë faqen tjetër Kryeministrit apo do veprojnë për të ndëshkuar abuzimet flagrante.
Kur, në fakt, si çdo homolog i tij në botë, e ka detyrim institucional e ligjor, përveçse njerëzor, të administrojë situata të tilla e jo t’u mburret “viktimave” të politikave të tij. Çdo lider i zgjedhur sillet së pari në interes të qytetarëve të vet e në respekt të tyre. Por ky nuk është aspak rasti i Edi Ramës, që me politikat e errëta, mes pasigurisë që ka krijuar, e bindjes së verbër të zyrtarëve e ligjvënësve të papërgjegjshëm, përbën sot për sot rrezikun kryesor për secilin prej nesh, pavarësisht bindjeve.