AKTUALITET, 8 October 2026, 14:19

Reagimi/ Provokim i rëndë ndaj shqiptarëve në Dervician, nderohet figura e Napoleon Zervës, greku që dëboi dhe masakroi çamët

Reagimi/ Provokim i rëndë ndaj shqiptarëve në Dervician,

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” ka dalë me një reagim të fortë dhe dënon provokimin e rëndë që po bëhet ndaj shqiptarëve, pasi në Galerinë e Artit në Dervician, është ekspozuar për nderim portreti i komandantit grek Napoleon Zerva.

Për çfarë meritash nderohet Zerva në territorin e Republikës së Shqipërisë?  Për masakrat ndaj popullsisë civile shqiptare? Për dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre? Për vuajtjet që u shkaktoi brezave të tërë?

Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 7839, datë 30.6.1994, shpalli 27 qershorin në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”. Ligji u shpall me dekretin e Presidentit nr. 885, datë 12.7.1994.

Mirëpo, Fondacioni Çamëria thotë se është absurde kur i njëjti shtet njeh dhe përkujton gjenocidin çam, lejon që në territorin e vetë të nderohet drejtuesi i forcave përgjegjëse për masakrat dhe dëbimin e popullatës çame.

"Nderimi i Zervës përçon një mesazh që bie ndesh me këtë njohjen zyrtare të gjenocidit grek nga parlamenti, ndërsa shqiptarët përkujtojnë viktimat, në Derviçian i jepet vend nderi figurës që simbolizon tragjedinë e tyre.

Ky është një provokim që nuk mund të relativizohet si zgjedhje artistike dhe as të kalojë në heshtje nga institucionet shqiptare dhe opinioni publik në Shqipëri.

Arti dhe kultura nuk mund të përdoren për të rehabilituar figura përgjegjëse për krime ndaj shqiptarëve. Nderimi i tyre cënon dinjitetin e viktimave, pasardhësve të tyre dhe dëmton bashkëjetesën e miqësinë ndërmjet popujve", thuhet në reagim.

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i bën thirrje kryetarit të Bashkisë Dropull të heqë menjëherë portretin e Zervës nga ky ekspozim nderues dhe të japë një shpjegim publik për këtë zgjedhje të papranueshme.

"I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të nisë, përmes institucioneve kompetente, një hetim të plotë për të sqaruar rrethanat, për të identifikuar personat që kanë propozuar, miratuar dhe mundësuar këtë ekspozim, si dhe për të nxjerrë përgjegjësitë institucionale dhe ligjore që rezultojnë.

Respekti për minoritetin grek dhe të drejtat e tij është i padiskutueshëm. Pikërisht mbrojtja e bashkëjetesës kërkon që përgjegjësia për këtë veprim të identifikohet,  dhe të mos rëndojë mbi mbi minoritetin grek por mbi emrat konkret të cilët provojnë rëndë gjakun e shqiptarëve të masakruar nga bandat e shoviniste të Zervës", përmbyllet reagimi.

Reagimi/ Provokim i rëndë ndaj shqiptarëve në Dervician,