TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Këshilli i Ministrave ka miratuar dy akte normative që lidhen me kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve dhe ndryshimet në ligjin për tubimet.
Ndër masat e reja parashikohen kompensimi për bizneset e dëmtuara, kufizime të përkohshme në zona të caktuara dhe gjoba administrative deri në 500 mijë lekë.
Skema e kompensimit nga shteti do të mbulojë dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, në periudhën 13–22 tetor 2026. Përfitues mund të jenë personat fizikë ose juridikë privatë që ushtrojnë aktivitet si biznese dhe tatimpagues, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, sipas deklaratës vjetore të vitit 2025.
Akti tjetër normativ parashikon shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23 prill 2001, “Për tubimet”.
Ndryshimet përcaktojnë kufizime të përkohshme në zona të caktuara, përfshirë stacionet dhe terminalet e transportit publik, portet, aeroportet, perimetrat përreth institucioneve arsimore e shëndetësore, si dhe objektet e trashëgimisë kulturore.
Në këtë kategori do të përfshihen edhe zona të tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak, të publikuara dhe të shënuara në terren, kur janë dokumentuar raste të përsëritura të veprave kundër personit ose pronës.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu masa për rastet kur, përmes rrjeteve sociale, postës elektronike apo komunikimeve telefonike, shpërndahen mesazhe që përmbajnë thirrje për dhunë në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi. Në këto raste, Policia e Shtetit do të kërkojë fshirjen e përmbajtjes dhe mos përsëritjen e veprimeve të tilla, duke njoftuar personat përgjegjës se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë, masat për kundërvajtjet administrative janë ndryshuar, me gjoba që variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë.
Po ashtu në mbledhjen e datës 28 tetor, Këshilli i Ministrave miratoi edhe disa vendime të tjera.
Mes tyre është mbulimi i shpenzimeve të mjekimit të Erjon Vishkullit në masën 5 milionë lekë, si dhe miratimi i Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe planit të veprimit deri në vitin 2030.
Qeveria miratoi gjithashtu numrin e përgjithshëm të personelit të Policisë së Shtetit dhe përcaktoi fushën e përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Administratës Publike.
Një tjetër vendim lidhet me procedurat e aplikimit, ndërveprimin institucional, kushtet dhe kriteret për vërtetimin e interesit shtetëror, rregullat e kontrollit të sigurisë dhe pastërtisë së figurës, si dhe organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë.
Vendimet dhe aktet normative u bënë publike nga Agjencia për Media dhe Informim pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.