AKTUALITET, 7 Maj 2020, 13:37

Qeveria ‘fshihet’ mbas komitetit ekspert - ky hesht para Qeverisë!

Qeveria ‘fshihet’ mbas komitetit ekspert - ky hesht para


Nga Tritan Shehu/

Qeveria “fshihet” mbas Komitetit të eksperteve, ai hesht para Qeverisë! Ndërsa Kryeministri edhe sot “i shqetësuar për një valë të dytë”, vazhdon në rolin e shurdhmemecit ndaj disa pyetjeve strategjike, ky komitet duhet të japë disa shpjegime teknike për ato:

1- Pse në vendin tonë, në mënyrën më absurde nuk lejohen laboratorët e pajisur të realizojnë ekzaminimet për zbulimin virusal, duke u hermetizuar vetëm në ISHP? Pse ky Komitet nuk i shpjegoi që kështu pengohet direktiva “test, test, test” duke shtuar edhe rrezikun “e valës së dytë”, në një kohë që kjo procedurë po thjeshtohet kudo?

2- Qeveria, në mënyrën më antishkencore e antiligjore ndalon forcërisht laboratorët të realizojnë ekzaminimet imunologjike për të përcaktuar antitrupat IgM, IgG apo dhe IgA, duke “e mbyllur” gjithçka në QSUT, gjë që bllokon “check” e dyfishtë, vlerësimin e metodave, masivizimin e procedurës e duke na ekspozuar ndaj “valës së dytë”.

Dikush në atë komitet duhej t’ia thoshte se saktësia shkencore rritet me diversifikimin e operatorëve, veçanërisht për këtë analizë të thjeshtë, të realizueshme në një shumicë të laboratorëve, për të tre metodikat e saj, e padëmshme për qytetarët dhe e parrezikshme për personelin e tyre. Aktualisht kudo po shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e mundshme, deri te ato veterinare e farmacitë për këtë, ndërsa tek ne…

3- Pse ky komitet nuk i shpjegoi domosdoshmërinë e përdorimit të maskave në ambientet publike, veçanërisht në këtë periudhë hapje, pikërisht edhe si mbrojtje ndaj “valës së dytë”? Në një kohë që kudo ky proces po kondicionohet me detyrimin e përdorimit të maskave, me sigurimin e shpërndarjen e tyre nga strukturat shtetërore, tek ne Qeveria hesht.

Së paku ky Komitet teknik duhet të bëjë publik një opinion!

Qeveria deklaron se vendos Komiteti edhe për vendimet strategjiko-politike - Komitetit hesht edhe për opinionet teknike. Përfundimi…në vend numëro!