TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në aksin Tiranë–Durrës, në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”.
Sipas ARRSH-së, në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të kryhen punime për montimin e trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit. Për këtë arsye, do të bllokohen përkohësisht korsitë e lëvizjes në të dyja drejtimet e aksit Tiranë–Durrës dhe Durrës–Tiranë. Gjatë orëve të punimeve, qarkullimi do të menaxhohet dhe devijohet sipas skemave të përcaktuara nga ARRSH.
Drejtimi Tiranë–Durrës: Mjetet do të devijohen përmes rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet përmes rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.
Mjetet e rënda: Kamionët dhe mjetet e tjera të rënda do të devijohen që nga nyja “Casa Italia”, duke vijuar lëvizjen nëpërmjet rrugës dytësore.
Drejtimi Durrës–Tiranë: Mjetet do të devijohen përmes mbikalimit Kashar–Thumanë dhe do të vijojnë në rrugën dytësore në anën e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, ku do të rikthehen në autostradë.
Mjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën: Këto mjete do të orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë për të vijuar më pas në drejtimin përkatës.
ARRSH bën me dije se gjatë gjithë periudhës së punimeve do të jetë e pranishme sinjalistika e përkohshme rrugore. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të ndjekin sinjalizimin dhe udhëzimet e personelit që do të menaxhojë trafikun.
Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për kufizimet e përkohshme.
Gjithashtu, drejtuesve u rekomandohet të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, nëse është e mundur, të shmangin këtë segment gjatë orarit 23:00–05:00 në tre netët e ndërhyrjes.