SPORT, 19 July 2026, 19:30

Publikohen formacionet zyrtare të finales së Botërorit, si rreshtohen skuadrat në Spanjë-Argjentinë

E gjithë bota mban frymën, pasi në Njw Jersey luhet finalja e madhe e Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës. “La Roja”-t vijnë në këtë duel si kampionët e Europës dhe duan të përsërisin suksesin e 16 vite më parë, kur në Afrikën e Jugut fituan yllin e tyre të parë në fanellë.

Nga ana tjetër, “Albiceleste”-t janë kampionë në fuqi dhe kërkojnë që të ruajnë titullin, për të përcjellë Messin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Surprizat nuk kanë munguar në formacionet e të dyja skuadrave, me de La Fuenten që ka zgjedhur të lërë në stol Pedrin, ndërsa Scaloni nga ana tjetër ka preferuar të startojë Julian Alvarez në vend të Lautaro Martinez, edhe pse ky i fundit shënoi golin e kualifikimit në gjysmëfinalen me Anglinë.

Drejtësi në këtë takim do të vendosë slloveni Slavko Vinčić.

FORMACIONET ZYRTARE:

SPANJA: Simon, Porro, Cubarsi, Laporte, Cucurella, Rodri, Fabian Ruiz, Olmo, Yamal, Baena, Oyarzabal.

Trajner: Luis De La Fuente

ARGJENTINA: E. Martinez, Montiel, Romero, Lisandro, Tagliafico, De Paul, Mac Allister, Enzo, Nico Gonzalez, Messi, Alvarez.

Trajner: Lionel Scaloni

Për herë të parë në histori, në finalen e Botërorit përballen kampionia në fuqi e Evropës dhe kampionia në fuqi e Amerikës së Jugut, në një duel që pritet të mbajë të mbërthyer miliona tifozë në mbarë globin.

Spanja ka qenë skuadra më dominuese e këtij Botërori. Iberikët kanë pësuar vetëm një gol gjatë gjithë turneut dhe nuk kanë qenë asnjëherë në disavantazh, duke vendosur edhe një rekord historik me gjashtë ndeshje pa pësuar gol. Pas barazimit zhgënjyes në ndeshjen hapëse ndaj Kepit të Gjelbër, skuadra e Luis de la Fuente reagoi në mënyrë perfekte, duke fituar gjashtë takime radhazi dhe eliminuar Austrinë, Portugalinë, Belgjikën dhe Francën në rrugën drejt finales.

Nga ana tjetër, Argjentina ka treguar edhe një herë ADN-në e saj fituese. Kampionët në fuqi siguruan finalen e shtatë në historinë e tyre pasi përmbysën Anglinë me rezultatin 2-1 në gjysmëfinale, falë një rikthimi spektakolar në minutat e fundit. Skuadra e Lionel Scalonit ka fituar tashmë 14 ndeshje radhazi dhe synon të bëhet vetëm kombëtarja e tretë në histori që fiton dy Kupa Bote njëra pas tjetrës.

Finalja sjell edhe një përballje simbolike mes dy brezave. Nga njëra anë është legjenda Lionel Messi, që pritet të luajë ndeshjen e fundit në një Kupë Bote, ndërsa nga ana tjetër qëndron talenti spanjoll Lamine Yamal, një nga yjet që ka shkëlqyer më shumë në këtë edicion.

Edhe historia e përballjeve mes dy kombëtareve premton spektakël. Bilanci është plotësisht i barabartë, me nga gjashtë fitore për secilën skuadër dhe dy barazime. Takimi i vetëm në një Kupë Bote është fituar nga Argjentina në vitin 1966, ndërsa Spanja ka dominuar përballjet më të fundit mes tyre.

Gjithçka është gati për një finale që premton futboll të nivelit më të lartë. Spanja kërkon të kurorëzojë turneun perfekt me trofeun e dytë botëror, ndërsa Argjentina synon të mbrojë titullin dhe të shkruajë një tjetër faqe të artë në historinë e futbollit. Sonte, sytë e gjithë botës do të jenë të drejtuar nga New Jersey, aty ku do të shpallet kampioni i ri i botës.