SPORT, 9 October 2026, 12:13

"Pse preferoj Europianin me Shqipërinë"/ U largua në maj, Sylvinho: Jam gati të rikthehem, mund të punoj në shumë vende

"Pse preferoj Europianin me Shqipërinë"/ U largua në

Braziliani ka folur sëfundmi për ‘Flashscore’ mbi vendet ku dëshiron të punojë, teksa është shprehur i gatshëm në rast se vjen oferta e duhur. Sipas Sylvinho-s përbërja e stafit të tij dhe gjuhët që flasin i japin shumë mundësi.

“Nga ana profesionale dhe personale, ndihem shumë i përgatitur për hapin e radhës. Në stafin tim kam brazilianë, një argjentinas, një italian dhe njerëz të kombësive të tjera.

Ndaj kemi një grup shumë ndërkombëtar. Me gjuhët që flasim, mund të punojmë në Portugali, Spanjë, Angli, në shumë vende të tjera të Europës, në Amerikën e Jugut, në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë,”-u shpreh 52-vjeçari.

Sylvinho është i papunë që prej 19 majit në 2026 kur u largua nga Shqipëria.

Në intervistën e tij më të fundit ish-komisari teknik i Shqipërisë, Sylvinho, është pyetur për eksperiencën e tij më të mirë si trajner të bërë deri më tani. Përgjigja e 52-vjeçarit ka habitur jo pak për faktin se përpara se të merrte kombëtaren kuqezi ka qenë pjesë edhe e stafit teknik të Brazilit në Botërorin e 2022-it.

“Kam punuar me Brazilin në Kupën e Botës, por isha ndihmës. Ishte një përvojë shumë e mirë, por sigurisht që nuk i kisha të gjitha në dorën time. Në Shqipëri, i gjithë projekti dhe e gjithë përgjegjësia ishin të miat. Dhe kualifikimi ishte i veçantë. Debutova me humbje përballë Polonisë, por më pas nuk humbëm më”, tha Sylvinho.

Mes të tjerash ai përshkruan ekipin që ndërtoi si një formacion të organizuar, përballë të cilit asnjë kundërshtare nuk pëlqente të luante. “Ishim shumë të fortë. Në fakt, skuadrave që duhej të luanin kundër nesh nuk u pëlqente aspak kjo gjë. Na shihnin si një ekip shumë të organizuar, shumë të mirë dhe shumë të vështirë për t’u përballuar. E dinim saktësisht se çfarë duhej të bënim në fushë. Dhe në Evropë, pas Kupës së Botës, mendoj se Kampionati Evropian është skena më e madhe. Aty është vendi ku dëshiron të jesh”, argumentoi Sylvinho.

I pyetur se përse kishte vendosur që të largohej nga Shqipëria, Sylvinho tha se gjithçka kishte ardhur në mënyrë natyrale. “Mendoj se ai bashkëpunim rriti si Federatën e Futbollit dhe ne si staf teknik. Mendoj se momenti kur u vendos që raporti të ndërpritej ishte vendimi më i miri për të gjitha palët pasi kishte ardhur fundi i një cikli”, tha Sylvinho.