AKTUALITET, 22 October 2026, 21:06

"Protestuesit u dhunuan barbarisht, PS u mbrojt nga bandë paramilitare!"/ Klodiana Lala debaton me zv.ministren e brendshme: Kërko ndjesë!

"Protestuesit u dhunuan barbarisht, PS u mbrojt nga bandë

Gazetarja Klodiana Lala, ka replikuar me zv.ministren e brendshme, Silva Caka, në emisionin "Të Paekspozuarit" në Vizion Plus, lidhur me menaxhimin e protestës nga Policia së Shtetit 

Caka tha se për rastet kur ka patur tejkalim nga policia, efektivët janë pezulluar dhe po u nënshtrohen hetimeve. 

Ndërkohë Klodiana Lala i kujtoi dhunën brutale ndaj disa protestuesve që ishin të neutralizuar dhe risolli në vëmendje mbrojtjen që persona të maskuar i bënë selisë së Partisë Socialiste, ndërkohë që kjo është detyrë e policisë. 

Biseda në studio 

Silva Caka: Kanë ekzistuar të tre skenarët, edhe të një policie të qetë në fillim që e nën menaxhoi situatën. Me përshkallëzimin e veprimeve nga ana e protestuesve, përshkallëzoi edhe policia. Për aq kohë sa kemi policë të pezulluar ka patur edhe raste kur është tejkaluar, ndoshta kanë kryer veprime që efektivë do të duhet tu nënshtrohen hetimeve administrative.
Ka qenë reagim kundrejt elementëve që do të donin ta shfokusonin nga protesta paqësore, te një protestë që shkatërron dhe djeg.
Nuk e di kush ka qenë mesazhi që ka dashur të përcillet përmes këtyre veprimeve, duke dhunuar policinë, duke dhunuar njëri tjetrin dhe pronat private, të individëve që nuk kanë lidhje me shtetin dhe qeverisjen. 

Klodiana Lala: Zëvendësministrja është e njëjta që e konsideronte policinë të kriminalizuar dhe mercenare. Zëvendëministrja të kërkojë falje dhe të distancohet nga aktet e dhunës që ka kryer policia ndaj të rinjve dhe të rejave. Kemi rastin e Muhamet Skanës që ishte i pambrojtur dhe u dhunua barbarisht. Si zonjë dhe zv.ministre të distancohet. 

Silva Caka: Mendoj se është e panevojshme sepse nuk kemi ardhur të flasim për mua dhe ty.

Klodiana Lala: Nuk fola për ju personalisht por Silva Cakën si ish pjesëtare e LSI dhe sot si zv.ministre e brendshme. 

Silva Caka: Nuk ndryshoj nga ato që kam thënë. Nuk kam përgjithësuar efektivët e policisë në të njëjtin titull, në çdo protestë i kam mbrojtur për çdo gjë që shihja të padrejtë. 

Klodiana Lala: Distancoheni nga dhuna? 

Silva Caka: Si nënë dhe si grua, si qytetare, ndjesë çdo njeriu që për arsye të një rrëmuje apo anarshie, mund të ketë pësuar dëm në kurrizin e tij.  Jo vetëm unë, por çdo punonjës i policisë dhe ministrisë së brendshme, mund ta kenë një ndjesë për çdo qytetar që në mënyrë të padrejtë është përballur… Jam e bindur se ka një ndjesë për qytetarë që në mënyrë të padrejtë mund të jenë prekur nga veprimtaria e Policisë së Shtetit.  Policia ka ditur të vetë-korrigjohet. Rastet që janë evidentuar si tejkalim, i janë nënshtruar hetimit. 

Klodiana Lala: Ka ministria qëndrim për kapuçë-zinjtë që dolën nga ambientet e institucioneve? A keni qëndrim për zyrtarët vendor që ishin të pajisur me shkopinj brenda PS-së? Kur garante dhe rojtare duhet të ishte policia. 

Silva Caka: Me aq sa e kam parë videon, nuk më duket si zona e Ministrisë së Brendshme, duket diku afër zonës së Myslym Shyri, nuk kam informacion që kanë dalë nga Ministria e Brendshme. 

Klodiana Lala: Ka pamje filmike. Po PS? A mund të mbrohet nga një bandë paramilitare dhe banditë me shkopinj, kur është detyrë e policisë? 

Silva Caka: Nuk jam anëtare e PS dhe nuk mund të jap mendime se si organizohen partitë politike dhe militantët e tyre.