SPORT, 7 Shtator 2017, 06:16

Portali gjerman “Torgranate”: Altin Lala, refugjati që sot ka 9 dyqane dhe 180 punëtorë

Portali gjerman “Torgranate”: Altin Lala, refugjati që sot ka 9

Edhe pse ka “varur këpucët në gozhdë”, Altin Lala vazhdon të jetë tërheqës për medien gjermane, por kësaj radhe si biznesmen i suksesshëm.

Portali Torgranate.de i ka kushtuar një profil të plotë e të gjatë ish-legjendës së Hanover 96, që tani përveçse është edhe menaxher lojtarësh është edhe pronar i marketeve të artikujve shtëpiakë.

Shqiptari 41-vjeçar, i cili mbërriti në Gjermani në fillim të viteve 1990 duke luajtur për ekipe modeste si Spvgg. Hosenfeld dhe Borussia Fulda mësoi nga ana futbollistike dhe njërezore që të jetë i disiplinuar.

Para dy javësh, shkruan portali gjerman, gjatë festimeve të 125-vjetorit të themelimit të Reiffeisenbank, Altin Lala ishte një ndër të ftuarit më interesantë së bashku me gruan e tij italiane Vitoria dhe dy fëmijët, Kataldo (15 vjeç) dhe Gabriela (13). Në Fulda, njerëzit e përshëndesin ngrohtësisht. “Unë vij këtu gjithmonë me kënaqësi”, thotë Lala për Torgranate.de.

Lala mbërriti 16 vjeç si refugjat në Gjermani. Por karriera e tij futbollistike ishte e shkëlqyer: pesë vjet te Borusia Fulda dhe 14 vjet te Hanover 96. Lala konsiderohet si shembulli më i mirë i integrimit në Gjermani.

Me ndihmën e bosit të Hanover 96, Martin Kind, Lala ra në kontakt me Dirk Rosman, duke bërë krijimin e rrjetit të artikujve shtëpiakë në Shqipëri.

“Unë jam përgjegjës për nëntë filiale dhe 180 punëtorë. Ka supermarkete, por jo “drogerie” (artikuj shtëpiake) në Shqipëri. Njerëzit i vlerësojnë shumë produktet gjermane, ne kemi ende potenciale”, – thotë krenar Lala.

Por, pa futboll ai nuk mund të bëjë dot. Zemra e tij vazhdon të rrahë për Hanover 96. “Unë kam pasur shumë dëmtime, por trupi im i vogël dhe trajnimi special, më kanë bërë që të jem ende në formë”, – thotë Lala, që menaxhon pesë lojtarë të rinj, midis tyre edhe sulmuesin anësor Milot Rashica, që luan me Vitesen në Holandë. “Është një diamanant”, shton Lala. Napoli dhe Hamburgeri janë të interesuar për të.

Puna e trajnerit, që Altin Lala bëri për dy vjet me radhë si ndihmësi i trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, parasëgjithash nuk ishte për të. “Ti duhet të kesh të bësh 24 orë me futbollin dhe të drejtosh njerëzi, që ndoshta kanë një raport tjetër me futbollin. Ishte gjë e bukur, ta çoja vendin tim në rrugën drejt Europianit të Francës, por në fund të fundit ishte një shërbim miqësror”, sqaron Lala, që shton: “Kështu siç jam, jam shumë i lumtur”.