AKTUALITET, 31 July 2026, 11:40

Plazhet e Himarës nën monitorim, Gonxhja: Rampë ekologjike për aksesin e personave me aftësi ndryshe

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se vijojnë inspektimet në plazhet e Himarës për garantimin e respektimit të hapësirave publike nga subjektet që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri thekson se kontrollet po kryhen nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) në bashkëpunim me bashkitë, me synimin për të siguruar zbatimin e rregullave dhe ruajtjen e hapësirave publike në vijën bregdetare.

“Himarë – Vijojnë inspektimet nga AKB dhe bashkitë për respektimin e hapësirave publike në plazhe. Ndërkohë, një rampë ekologjike e re po përmirëson aksesin në plazhin e Himarës për personat me aftësi ndryshe, duke e bërë bregdetin më gjithëpërfshirës”, shkruan ministri.