TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela do të mbajë një mbledhje sot në orën 10:00 për çështjen e pagave të bllokuara të magjistratëve.
Çela ka thirrur takimin me shefat e prokurorive në rrethe dhe me Shoqatën e Prokurorëve të Shqipërisë, ndërsa janë ftuar të marrin pjesë edhe anëtarët e KLP. Takimi do të zhvillohet pa praninë e mediave.
Gjatë ditës ka pasur reagim nga Kushtetuesja për pagat e bllokuara të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilët dy këshillet kishin llogaritur pagat e reja sipas një formule të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese.
Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama tha se dera e Thesarit të Shtetit ku kanë mbetur të bllokuara pagat e institucioneve të drejtësisë, nuk mund të hapet me forcë.
Ndërkohë Ministri i Drejtësisë Toni Gogu që premtoi se çështja e pagave të magjistratëve do të zgjidhet me nisjen e këtij sesioni parlamentar.
"Detyra ime është që kjo të bëhet sa më shpejt, sa më mirë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen", tha Gogu gjatë një deklarate për shtyp në fundjavë.
Konflikti mes magjistratëve dhe qeverisjes qendrore nisi pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk zbatoi brenda afatit një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit deri më 31 korrik duhej të miratohej formula e re e pagave të tyre.
Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP thanë se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese. Zhbllokimin e pagave e kanë kërkuar përveç KLGJ-së dhe KLP-së, edhe shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe Gjykata e Lartë.