TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka dalë me një video-mesazh një ditë përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar.
“Ky tapet i kuq do të presë nesër Edi Ramën, Belinda Ballukun, Taulant Ballën, Ulsi Manjën. Të gjithë do hyjnë këtu në këtë Kuvend. Do vazhdojnë të vjedhin qytetarët shqiptarë, do vazhdojnë të punojnë për veten e tyre”, shprehet Shehaj.
“Ky Parlament nuk i përfaqëson më shqiptarët. U ka vrarë ëndrrat të rinjve dhe shpresën prindërve të tyre”, thekson kreu i Mundësia.
Shehaj iu drejtohet mbështetësve e votuesve të Partisë Mundësia por edhe qytetarëve të pakënaqur me qeverisjen e Ramës teksa shpjegon se për politikanë si ai, dera e Kuvendit mbyllet me mekanizmin e përjashtimit kur denoncohen vjedhjet dhe abuzimet e pushtetit.
Kreu i Mundësia thekson se për javët e ardhshme të Parlamentit është i përjashtuar nga mazhoranca për shkak se bën opozitë dhe “unë nuk kam bërë kurrë pazare me ta”.
Sipas Shehajt, “unë jam i përjashtuar sepse i denoncoj hapur. Nuk shantazhohem, nuk hesht dhe nuk tërhiqem”.
“Dera do të jetë e mbyllur për mua sepse mua nuk më duan aty brenda. Më kanë përjashtuar 140 ditë nga fillimi i vitit. Më kanë përjashtuar 4 herë sepse nuk më duan. Sepse nuk duan që unë të jem aty, t’ua plas në fytyrë vjedhjet, abuzimet. Nuk duan sepse unë bëj kontrast me ta. Sepse unë nuk kam vjedhur kurrë qytetarët shqiptarë. Sepse unë nuk kam abuzuar kurrë me fondet. Sepse unë nuk kam bërë kurrë pazare me ta. Sepse unë bëj opozitë”, shprehet Shehaj.
Shehaj thekson se kontrata e tij me votuesit e Partisë Mundësia është që të bëjë opozitë të vërtetë, për të denoncuar vjedhjet dhe abuzimet e pushtetarëve dhe zotohet se këtë do të vazhdojë të bëjë, pa u ndalur edhe përballë kërcënimeve të ndryshme.
“Sepse jam votuar për të bërë opozitë dhe do vazhdoj ta bëj pavarësisht përjashtimeve, pavarësisht censurës në rrjete sociale, pavarësisht kërcënimeve. Do vazhdoj të bëj opozitë! Këtu më kanë, nuk ndalem!”, shprehet Shehaj.