TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka përfunduar marshimi i qytetarëve në Tiranë, në kuadër të protestës së 70-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit u nisën nga zona pranë Kryeministrisë dhe vijuan marshimin përgjatë Bulevardit “Bajram Curri”, në drejtim të zonës së Vasil Shantos.
Më pas, marshimi vijoi në Bulevardin “Gjergj Fishta”, për t’u rikthyer sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Pikërisht aty, qytetarët mbyllën protestën e 70-të, pas disa orësh marshimi në rrugët e kryeqytetit.
Ashtu si në netët e mëparshme, gjatë protestës nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Në përfundim të marshimit, protestuesit përsëritën thirrjen “Nesër më shumë!”, duke u bërë apel qytetarëve brenda dhe jashtë vendit që t’u bashkohen protestave.
Një tjetër thirrje e protestuesve ishte pjesëmarrja në protestat kombëtare të paralajmëruara për datat 14, 15 dhe 16 gusht, ku pritet një pjesëmarrje e konsiderueshme e shqiptarëve nga diaspora.
Nga sheshi, protestuesit deklaruan se shumë emigrantë kanë zgjedhur të rikthehen në Shqipëri gjatë këtyre ditëve jo për pushime, por për t’iu bashkuar protestës kundër qeverisë.
Marshimi i mbrëmjes shënoi kështu përfundimin e protestës së 70-të, ndërsa organizatorët dhe protestuesit paralajmëruan vijimin e qëndresës dhe pjesëmarrjen në protestat e ditëve në vijim.