TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Krujës ka arrestuar në flagrancë një 73-vjeçar, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e barit pranë banesës së tij, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në drejtim të malit të Krujës.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 8 gusht, në lagjen “Abaze”, në Krujë. Në pranga është vënë shtetasi Qemal Berhami, 73 vjeç, banues në këtë zonë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 73-vjeçari ka ndezur zjarr pranë banesës së tij me qëllim djegien e një sasie bari.
Por, për shkak të erës së fortë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në drejtim të malit të Krujës, duke rrezikuar edhe zonat e banuara.
Policia ka ndërhyrë pas përhapjes së flakëve, ndërsa ndaj 73-vjeçarit janë kryer procedurat e arrestimit në flagrancë.
Njoftimi i policisë
Ndezi zjarr për djegien e barit pranë banesës së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në drejtim të malit të Krujës, reagimi në kohë i Policisë çoi në identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të zjarrvënies.
Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në lagjen “Abaze”, Krujë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin Q. B., 73 vjeç, banues në lagjen “Abaze”, Krujë.
Ky shtetas dyshohet se, më datë 08.08.2026, në afërsi të banesës së tij, ka ndezur zjarr për djegien e një sasie bari, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe, për shkak të erës, janë përhapur në drejtim të malit të Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave, kanë marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodheshin në afërsi të vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.
Falë angazhimit të forcave në terren, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit, ku po ndërhyhet me forca tokësore dhe me mbështetje nga ajri, me qëllim izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.