TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Partia Demokratike ka denoncuar rastin e një qytetari nga Elbasani, i cili është gjobitur nga Ujësjellësi i këtij qyteti me 10 mijë lekë, ndërkohë që familja jeton me 50 euro asistencë në muaj.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se Arben Kalemaj është detyruar të udhëtojë nga Elbasani për të denoncuar vendimin e marrë ndaj tij. Sipas deklaratës së PD-së, administratori i Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan, Luan Tabaku, ka firmosur më 7 korrik 2026 njoftimin për vendosjen e një gjobe në banesën e Kalemajt. Vangjeli thote se “PD kërkon që Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan të verifikojë menjëherë rrethanat dhe të anulojë masën administrative”.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Arben Kalemaj, qytetari i sëmurë, që jeton vetëm me rreth 50 euro asistencë ekonomike në muaj, edhe njëherë tjetër u detyrua të vinte nga Elbasani për të denoncuar veprimet e shoqërisë rajonale të Ujësjellës Kanalizime Elbasan.
Në datën 7 Korrik 2026 administratori Luan Tabaku ka nënshkruar njoftimin për vendosjen e gjobës në banesën e Kalemaj.
Këtij njoftimi i bashkëlidhet edhe akti i konstatimit dhe fleta e gjobës që ngarkon abonentin të shlyejë detyrimin prej 10 mijë lekëve për shkak të ndërhyrjes në rrjet me tub fresibël. Moskryerja e pagesës sjell si pasojë ndërprerjen e furnizimit me ujë.
Nga ana tjetër Kalemaj shpjegon se jo vetëm që ai dhe familjarët e tij nuk kanë ndërhyrë në rrjet por se ka qenë vetë kryetari i bashkisë Elbasan Gledian Llatja , i cili në datën 4 Korrik pasi ka komunikuar me Arbenin, i ka premtuar ta zgjidhë problemin e tij brenda po të njëjtës ditë, dhe ashtu ka ndodhur.
Denoncuesi dëshmon se po në datën 4 Korrik Llatja ka dërguar një operator terreni i cili ka ndërhyrë duke lidhur ujin për të risjellë furnizimin në banesë. PD kërkon që Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan të verifikojë menjëherë rrethanat dhe të anulojë masën administrative.
Ky është shteti i kalbur i Edi Ramës dhe e tillë është qeverisja socialiste. Asnjë familje nuk duhet të trajtohet në këtë mënyrë vetëm sepse është e varfër dhe nuk ka mundësi të mbrohet. Kjo është arsyeja pse ndryshimi nuk është më një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri për rikthimin e shtetit në shërbim të qytetarëve.