AKTUALITET, 7 August 2026, 09:25

Dhimbje për familjen shqiptare, nënë e bir humbin jetën në aksidentin tragjik në Greqi

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e dy shtetasve shqiptarë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në afërsi të qytetit të Serres, në Greqi. Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi rreth orës 07:30 në rrugën Amfipolis–Drama, pranë zonës së Paleokomit, ku një automjet është përplasur me një kamion.

Si pasojë e përplasjes së fortë, humbën jetën dy personat që ndodheshin në automjet, një nënë 43 vjeçe dhe djali i saj 24-vjeçar, të dy shtetas shqiptarë.

Trupat e viktimave u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Serres. Nga aksidenti mbeti i plagosur edhe drejtuesi 57-vjeçar i kamionit, i cili u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës për të marrë ndihmë mjekësore.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.