AKTUALITET, 30 September 2026, 16:54

Jashtë godinës protestohet, Presidentja e Komisionit Europian pritet me ceremoni zyrtare nga Rama

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Kryeministri, ku është pritur nga kreu i qeverisë, Edi Rama.

 Mbërritja e Von der Leyen zhvillohet në një atmosferë të tensionuar jashtë godinës, ku një grup qytetarësh dhe aktivistësh po protestojnë kundër qeverisë.

Ndërkohë, jashtë perimetrit të sigurisë vijojnë thirrjet e protestuesve, të cilët më herët janë përplasur verbalisht me efektivët e Policisë pasi nuk janë lejuar të afrohen pranë Kryeministrisë.

Në zonë janë dislokuar forca të shumta policie dhe janë vendosur barriera metalike, ndërsa protestuesit kanë lëshuar thirrje kundër kryeministrit Rama dhe kanë kërkuar që mesazhi i tyre të dëgjohet edhe nga Von der Leyen.

Vizita e presidentes së Komisionit Europian në Tiranë është pjesë e turit të saj në Ballkanin Perëndimor.

Pas takimit në orën 17:30, ajo dhe Edi Rama do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të bëhen publike detaje nga diskutimet dhe çështjet kryesore të vizitës.

Aktivistë dhe qytetarë kanë protestuar këtë të mërkurë në Tiranë, në kohën kur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndodhet në kryeqytet për takimin me kryeministrin Edi Rama.

Forcat e Policisë nuk kanë lejuar protestuesit të afrohen pranë Kryeministrisë, ndërsa mes efektivëve dhe qytetarëve ka pasur momente tensioni.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, e pranishme në protestë, kritikoi kufizimin e protestuesve nga Policia, ndërsa deklaroi se mesazhi i tyre për presidenten e Komisionit Europian është që Bashkimi Europian të mos mbështesë, sipas saj, drejtues autokratë.

 

“Rama nuk na përfaqëson. Kemi 122 ditë në protestë që themi se Rama dhe qeveria nuk na përfaqësojnë. Në BE vetëm nëse largojmë autokratët. Jemi këtu për t’i thënë Von der Leyen se nuk duhet të mbështesë autokratët”, deklaroi Vatnikaj.

Duke iu referuar pranisë së shtuar të forcave të rendit dhe pengimit të protestuesve për t’u afruar pranë godinës së Kryeministrisë, ajo e krahasoi situatën me një burg.

“Po e kthejnë Shqipërinë në 313”, u shpreh aktivistja, duke iu referuar burgut të Tiranës.