TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kombëtarja portugeze po përballet me një situatë të tensionuar, teksa çështja Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Ylli portugez braktisi grumbullimin e Portugalisë këtë javë, ndërsa diskutimet për vendimin e tij vijojnë të dominojnë vëmendjen rreth skuadrës.
Trajneri i luzitanëve, Jorge Jesus, u përpoq t’i shmangej debatit në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Norvegjinë, por pyetjet e vazhdueshme për Ronaldon e vështirësuan situatën. Në një moment, shefi i zyrës së shtypit të kombëtares portugeze u detyrua të ndërhynte për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të diskutimit.
“Nuk do të them asgjë. Nuk do të them asgjë. Cris është një simbol i kombëtares së Portugalisë dhe kjo të jetë e qartë. Pas ndeshjes do të kemi kohë për të folur për këtë. Tani ajo që ka rëndësi është ndeshja, ajo me Norvegjinë. Duhet të luajmë mirë përballë publikut tonë dhe me synimin për ta fituar”, tha Jorge Jesus.
Që në nisje të konferencës, tema e Cristiano Ronaldos u kthye në një prej çështjeve kryesore në pyetjet e afro 50 gazetarëve të pranishëm, ndërsa trajneri portugez u përpoq t’u shmangej atyre.
“Do të përqendrohem tek ajo që kam thënë, te skuadra dhe rivali. Norvegjia është një prej 5 skuadrave më të mira në Evropë, me futbollistë të mëdhenj në radhët e saj. Duhet të përqendrohemi te kjo, që është problemi ynë në këtë moment. Pas kësaj do të kemi kohë që të analizojmë atë që do të mund të ndodhë këtu. Duhet të mendojmë për klasifikimin nesër”, u shpreh ai.
Jorge Jesus u pyet edhe për pritjen që mund t’i rezervojë publiku në stadium gjatë ndeshjes me Norvegjinë.
“Afeksioni që kërkoj dhe që do të doja të merrja nuk shkon përtej asaj që simbolizon kombëtarja. Afeksioni është për skuadrën dhe futbollistët, jo për mua. Jam pjesë e një skuadre, jam trajneri i një skuadre. Gjithçka është çështje mbështetjeje që tifozët i japin kombëtares. Shoh për vendin dhe flamurin tim”, tha Jorge Jesus.
Në një tjetër pyetje për Cristiano Ronaldon, trajneri portugez u pyet nëse kishte komunikuar me të në telefon.
“A kam folur me Cristianon në telefon? Nuk dua të kem të bëj me asnjë temë përveç kombëtares”, u përgjigj Jorge Jesus.
Në këtë moment ndërhyri shefi i zyrës së shtypit të kombëtares portugeze, duke theksuar se trajneri kishte dhënë tashmë përgjigjen e tij për çështjen e Ronaldos.
Portugalia tashmë e ka fokusin te përballja me Norvegjinë, ndërsa vëmendja rreth mungesës së Ronaldos vazhdon të shoqërojë skuadrën në prag të ndeshjes.