TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Unë kam qenë në protestën e Flamingove që në javën e parë. Kam dalë në Bulevard për të mbrojtur pikërisht ato ide, atë frymë dhe atë filozofi që dikur i kemi ndarë dhe i kemi mbrojtur së bashku me Edi Ramën dhe Blendi Gonxhen, Mbrojtjen e Trashëgimisë sonë Kulturore dhe Natyrore.
Dikur, së bashku me Ramën dhe Gonxhen, kemi luftuar kundër të gjithë atyre që kërkonin të shkatërronin atë që ne përpiqeshim të mbronim. Kemi besuar se trashëgimia kulturore dhe natyrore nuk ishte thjesht një pasuri e së shkuarës, por një përgjegjësi ndaj së ardhmes. Kemi punuar për të ndërtuar një model të ri, i cili për vite me radhë u vlerësua si një risi në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe kulturës.
Sot, kur shoh se pikërisht ato vlera vihen në diskutim, nuk mund të hesht. Nuk mund të bëj sikur nuk i njoh idetë për të cilat dikur kemi luftuar së bashku ne te njejten llogore. Prandaj dola në Bulevard, jo për të mohuar të shkuarën time, por për të qenë besnik ndaj saj.
Unë që sot jam në krah të studentëve nuk jam as sharlatan, as i dështuar dhe as budalla. Jam i njëjti njeri që dikur, së bashku me Ramën dhe Gonxhen, qëndronte në pararojë të një mendimi progresiv në Shqipëri. Nuk kam ndryshuar bindje për t'iu përshtatur pushtetit. Përkundrazi, janë bindjet e mia ato që më kanë sjellë sot në këtë protestë.
Sa për Taulantin, nuk kam çfarë të shtoj. Ai e di mirë se çfarë mendonte i ndjeri Fatos Nano kur vinte në Butrint dhe me çfarë krenarie fliste për mbrojtjen e asaj copeze të çmuar të Shqipërisë. Taulanti ka qenë shpesh aty. E di se çfarë përfaqësonte Butrinti dhe çfarë vlere kishte përpjekja për ta ruajtur atë.
Ka gjëra që nuk mund t'i fshijë as pushteti, as propaganda dhe as harresa e qëllimshme. Kujtesa është një prej tyre.
Unë dola në Bulevard për të mbrojtur atë që dikur e mbrojtëm së bashku. Dhe, nëse sot rrugët tona janë ndarë, kjo nuk do të thotë se duhet të braktis edhe bindjet për të cilat dikur ecëm në të njëjtën rrugë.
Prandaj, as unë dhe as të rinjtë që sot qëndrojnë në Bulevard nuk jemi sharlatanë, budallenj apo fundërrina. Ata janë të rinj që po bëjnë pikërisht atë që dikur bëtë ju, po ngrihen për të mbrojtur trashëgiminë tonë të përbashkët, natyrore dhe kulturore.
Në fund të fundit, historia nuk do të kujtojë se kush qëndronte në pushtet dhe kush në Bulevard. Do të kujtojë se kush mbrojti trashëgiminë e këtij vendi dhe kush e braktisi atë.