TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në Shqipëri po ndërtohet më shumë se në vitin e kaluar. Instituti i Statistikave raporton për 782 leje të reja të miratuara nga pushteti vendor në gjashtëmujorin e parë të vitit gati 28% më shumë se vjet, kur 61 bashkitë e vendit kishin miratuar në total 610 leje ndërtimi.
Rritja e numrit të lejeve është shoqëruar edhe me zgjerim të sipërfaqes së re të ndërtimit. Lejet e miratuara zënë rreth 684 mijë metra katrorë, nga 613 mijë metra katrorë një vit më parë. Por pavarësisht rritjes së numrit të lejeve dhe sipërfaqes, vlera e përafërt e ndërtimeve të reja ka shënuar rënie. Në janar–qershor 2026, u përllogaritën 30.2 miliardë lekë, nga 32.2 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një ulje prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 6.2%.
Pra, gjashtëmujori i parë i 2026 tregon më shumë leje dhe më shumë sipërfaqe ndërtimi, por një vlerë më të ulët të investimeve të parashikuara. Ky raport i INSTAT nuk ka të përfshira lejet e ndërtimit që japin institucionet e tjera si KKT, për kullat e mëdha apo për resortet, që kanë sipërfaqe më të madhe ndërtimore por dhe vlerë më të lartë investimi.
Ndërtimet e reja janë burimi kryesor i të ardhurave për pushtetin vendor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave gjysma e parë e viti u mbyll me 18.3 miliardë lekë të ardhura nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’, me rritje prej 12.2 miliardë lekë krahasuar me vitin 2025.
Bashkia e Tiranës është në krye me vlerën më të madhe të të ardhurave nga kjo taksë me 12.4 miliardë lekë në 6 muaj, ndjekur nga Bashkia Himarë me 1.2 miliardë lekë, më pas është Durrësi me 841 milionë dhe më tej Kavaja me 620 milionë lekë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
LEJET E MIRATUARA NGA BASHKITË
